Dhe jo vetëm për arsye humane, Shkodrës nuk i shkojnë fare qentë, kuptohet, kur janë rrugaçë, të pisët dhe të pabesë!
Nga Anila Dushi
Prania e qenëve rrugaçë në rrugët e qytetit të Shkodrës shihet jo pa shqetësim nga banorët e tij. Në një kornizë kohore prej vitit 2010-2014, qentë e rrugës kanë pushtuar qytetin dhe të tillë vërehen në çdo rrugë e ambjent publik, madje dhe në qendër të tij. Qentë e rrugës paraqesin rrezik për transportin rrugor sepse jane shkaktarë të aksidenteve, por janë dhe bartës të sëmundjeve të ndryshme.
Sipas mjekëve, ato shkaktojnë sëmundje të cilat mund të jenë deri dhe të pashërueshme. Sipas të dhënave që ka Bashkia Shkodër, numri i tyre varion nga dy deri në katër mijë. Qytetarët bëjnë përgjegjës për situatën e krijuar Bashkinë e cila çdo vit jep fonde për eliminimin e qenve të rrugës por ato, në perceptimin qytetar, keqmenaxhohen. Sipas të dhënave në marra zyren e trajtimit të kafshëve, Bashkia Shkodër gjatë vitit 2011 ka dhënë një fond prej 2 milion lekësh të vjetra për të vrarë qentë e rrugës por dhe më 2012 u paraqit e njëjta situatë.
Në vitin 2013 gjërat ndryshuan sepse u bë e pamundur eleminimi i qenve të rrugës për shkak të protestave që bënë organizatat e ndryshme kundër vrasjes së kafshëve. Fondi që është dhënë nga Bashkia u rrit në 3 milion lekë të vjetra, dhe kjo ka sjellë një përmirësim të situatës së mëparshme pasi një pjesë e qenve janë vaksinuar. Fondi i 2014 ka shkuar deri ne 6 milion lekë dhe përfshin edhe kapjen, sterilizimin dhe vaksinimin e qenëve të rrugës.
Edhe pse ligji shqiptar ndalon vrasjen e tyre, në mënyrë ilegale ajo është evidente sidomos në rrethe. Pavarësisht fondeve dhe projekteve për kthimin e këtyre kafshëve në habitat , përsëri ato i sheh në grumbuj teksa lëvizin lirisht në rrugët kryesore të qytetit duke sjellë shqetësim jo të vogël tek banorët, pasi qentë e rrugës janë mbartës të mëdhenj sëmundjesh, pa folur për rrezikun e tërbimit ku, burime nga spitali theksojnë se ka patur shtim të rasteve të pacientëve të kafshuar nga qentë e tërbuar, sidomos fëmijë. Dhe jo vetëm për arsye humane, Shkodrës nuk i shkojnë fare qentë, kuptohet, kur janë rrugaccë, të pisët dhe të pabesë! /tesheshi.com/