Nga Eva Gjura
Dy ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, shpalli moskandidimin e tij për herë të dytë në krye të institucionit më të rëndësishëm gjysëmpolitik të vendit. Ky vendim u servir prej tij si një standart i lartë moral, ngase siç sqaroi ai, nuk do bënte gabimin e paraardhësit të tij, Rama, i cili edhe qeverinë e synonte, e po ashtu dhe bashkinë; e nga ana tjetër, derisa synonte t`i merrte Ramës qeverinë nuk kishte pse të mbante më bashkinë.
Por tej kësaj skeme politike, që vërtet bie era standart jo i keq, përbën më shumë interes fakti se ç`farë standarti la Basha në dy vjet në krye të bashkisë, sa i përket premtimeve të bëra realitet; pasi siç dihet, pika më e fortë e tij gjatë fushatës, ishin pikërisht premtimet pak spektakolare e pompoze, të ngjashme me ato të Ramë gjatë fushatës së 2013-ës.
Ndërkohë, mës të dyve ka patur një diferencë në premtime e vizion premtues jo pa rëndësi, e që duhet theksuar: Ndërsa Rama synonte qeverinë, nuk druhej të thoshte se si shembull duhej të merrej Tirana, pra puna e tij për 11 vjet në krye të bashkisë së kryeqytetit, duke besuar se kishte qenë e suksesshme; ndërkohë që me Bashën vështirë të ndodh kjo. Madje dhe gjatë fushatës për bashkinë dy vjet më parë, premtimet nuk i shoqëronte asnjëherë me ndonjë model të prekshëm referues, ose nga cilësia e produktit të tij individual në krye të disa dikastereve, ose nga cilësia qeverisëse në të cilën bënte pjesë që nga vera e 2005-ës.
Por le të kujtojmë disa prej premtimeve të tij të bujshme, ku nëse ndalesh për një çast e hedh sytë prapa, kupton se shumë gjëra jo vetëm që nuk janë realizuar, e se premtimet pompoze janë mbuluar diku në një cep të godinës së bashkisë nga pluhuri i harresës.
Në këtë shkrim do t’ju sjellim vetëm disa nga ato premtime, të cilat duhet të ishin realizuar, por që në fakt askush nuk ka hedhur qoftë edhe një piketë për realizmin e tyre.
Në fjalën e tij gjatë hapjes së fushatës elektorale, por edhe në takimet e zhvilluara në maj te vitit 2011 për 30 ditë me banorët e kryeqytetit, Lulzim Basha ka artikuluar mbi 80 premtime, nga të cilat nuk është realizuar as 70% e tyre.
-Lulzim Basha premtoi se do të ndërtohet Unaza e Madhe. Ky premtim ka mbetur gjysmak, sepse mesa duket z. Basha para se të bënte premtimin nuk kishte llogaritur se rruga do të kalonte nëpër disa prona, pronarët e së cilës duhet patjetër të kompensoheshin. Duke mos e marrë parasysh këtë fakt dhe pas rezultimit të faturës së madhe financiare që duhej për kompensimin e pronarëve ku kalon rruga, Bashkia ka hequr dorë për përfundimin e saj duke e lënë projektin në mëshirë të fatit.
-U premtua me të madhe se do të ndërtohet një sistem i ri Tramvaji për kryeqytetin. Gjatë fjalës së tij Basha u shpreh i vendosur se vepra e dytë madhore e përmbushur në fund të mandatit do të ishte sistemi i tramvajit për Tiranën. Ky investim së bashku me Unazën e Madhe do të ndikonin maksimalisht në uljen e trafikut, dhe ofrimin e shërbimit modern të transportit publik. Sipas Bashës në këtë projekt ishte parashikuar se linja e parë do të ishte Kombinat – Kinostudio me një gjatësi prej 9 kilometrash. Sipas studimit për ndërtimin e tij duhej një fond prej gati 160 milionë euro, tashme ka përfunduar mandati dhe ky premtim jo që nuk është realizuar por nuk u arrit të paraqitet sa për sy e faqe as ndonjë projekt.
-Nuk u realizua, ose më saktë të themi nuk u hap as edhe një kanal në lidhje me premtimin tjetër të bujshëm siç është ndërtimi i e Korridorit Rekreativ të Lumit të Tiranës, e cila sipas premtimit të bërë nga kryetari —-
-Basha do të ishte një bulevard të dyte të mbushur me gjelbërim dhe ambient çlodhës, projekt ky i parë në foto duket një mrekulli, por ende mbetet shumë larg realitetit.
-Z. Basha premtoi gjithashtu se me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Tiranës do ti jepet fund kaosit të trafikut dhe për të gjithë do të realizohej një lëvizje më e lehtë e shpejtë dhe e sigurt si për makinat ashtu edhe për këmbësorët. Një premtim, i cili gjithashtu mbetet vetëm në letër, sepse të gjithë jemi dëshmitarë të kaosit që përjetojmë çdo ditë me trafikun në kryeqytet.
-Premtimi tjetër ishte krijimi i korsive të emergjencës dhe atyre të biçikletave. Për realizmin e këtij premtimi Basha sapo erdhi në krye të Bashkisë nisi punën për realizimin e saj, por në fakt përfundoi një nismë qesharake, sepse u vizuan rrugë e sheshe duke krijuar idenë e kroseve të emergjencës dhe atyre të biçikletave, siç ishte ndarja e trotuareve përgjysmë me anë të disa vijëzimeve, në të cilat në tre pllaka do të kalonte këmbësori dhe në tre të tjerat biçikleta, duke krijuar një situatë qesharake tek të gjithë, pasi logjikisht ishte e pamundur lëvizja në një metër katror edhe e biçikletës edhe e këmbësorit.
-U premtua se problemi madhor i parkimit në Tiranë do të zgjidhej me ndërtimin e parkimeve nëntokësore, një premtim, i cili u harrua menjëherë sapo Basha mori në drejtim Bashkinë e Tiranës. Në Tiranë parkimi i automjetit është një stres më vete për të gjithë ata persona që posedojnë një automjet.
-Për personat me aftësi të kufizuar u premtua se do të kishte trotuare dhe korsi të përshtatshme për të bërë sa më të lehtë lëvizjen e tyre, por edhe ky pretim mbeti thjeshtë në letër pasi askush nuk mendoi më për këtë kategori.
-Transporti urban falas për fëmijët, të moshuarit dhe shtresat në nevojë, është një tjetër premtim, i cili mbeti thjeshtë në letër.
-Premtim i pa mbajtur mbetet, rehabilitimi i rrugëve pa ndriçim, në shumë zona të qyteti.
-Zhvendosja e Stacionit të Trenit, ndërtimi aty i stacionit interurban i automjeteve.
-Ndërtimi i të paktën dy nënkalime për të lidhur dy zonat e banimit përgjatë segmentit rrugor nga “Zogu i Zi” deri tek Dogana.
-Ndërtimi i një Kampusi të ri Universitar për UT në hapësirën mes Fakultetit Ekonomik-Filiologjik.
-Ndërtimi i një kampusi universitar të ri për Universitetin Politeknik.
-Ndërtimi i një tjetër parku të madhe për Tiranën.
-Pastrimin e Tiranës, për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, ndarja në tre kazanë mbetje plastike, mbetje qelqi dhe mbetje letre, me qellim rritjen e shkallës së riciklimit.
-Përpunimi i ujërave të zeza, të cilat nuk do të derdheshin më në Lumin e Tiranës.
-Krijimi i parqeve industriale.
-Çdo lek që Bashkia shpenzon, duke përfshirë rrogat e punonjësve dhe çdo kontrate që lidhet do të publikohet ne faqen zyrtare të internetit.
-Ndërtimi i shkollave dhe kopshteve verore për të gjithë fëmijët, nënat e të cilëve janë në marrëdhënie pune.
-Shndërrimi i Spitalit të Sanatoriumit në një spital modern vetëm për qytetaret e Tiranës dhe njësive vendore fqinje, që do të ofrojë shërbim me shtretër dhe në të njëjtën kohë edhe shërbim të specializuar ambulator.
-Eliminimi i mësimit me dy turne dhe me klasa me më pak se 30 nxënës.
-Pajisja e shkollave me sistem ngrohje qendrore të gjitha shkollat.
Një nga justifikimet për mosrealizimin e disa premtimeve, ka qenë e mbetet bllokimi i fondeve nga ana e qeverisë qëndrore. Edhe nëse është kështu – që nuk ka pse mos jetë – Basha e ka marrë bashkinë si politikan e jo si teknokrat i zhveshur nga politika. Dhe si i tillë duhet të gjente mënyrat politike për t`ia marrë fondet e nevojshme qeverisë. Premtimet e bëra nuk janë shoqëruar me ndonjë klauzolë kushtëzuese të tipit: Të gjitha do t`i realizoj, ama vetëm po ma dha fonde qeveria! /tesheshi.com/