Astrit Dehari, një ndër aktivistët e Vetëvendosjes që mbahej në paraburgim, ka ndërruar jetë në rrethana të dyshimta. Ai ishte ndaluar dy muaj më parë i dyshuar për rastin e një sulmi me granata mbi godinën e parlamentit të Kosovës. Në paraburgim ai ndodhej prej 68 ditësh.
Opinioni kosovar është tronditur nga ky lajm, pasi kohë më parë ndërroi jetë dhe i vëllai i tij, Arbnor Dehari, po ashtu eksponent i Vetëvendosjes i cili u rrëzua aksidentalisht nga një lartësi. Por rasti i Astritit ka dhe implikime politike, pasi ishte ndaluar si aktivist politik pas një incidenti me natyrë politike.
Autoritetet e drejtësisë kosovare ende nuk kanë dalë me një version të qartë dhe përfundimtar të vdekjes së tij; ndërkohë që disa media thonë se ai ka pirë disa barna pas së cilave ka rënë në koma, e që më pas ka ndërruar jetë. Megjithatë, fjalën e fundit do e thotë ekspertiza mjeko-ligjore. /tesheshi.com/