Ndërsa kryeministri Mustafa ka paralajmëruar për këtë muaj rikthimin e Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend, kundërshtarët e tij politikë ia bëjnë të qartë se do përballet me kundërshtime të mëdha. Këtë mesazh saktësisht ia dërgon deputeti i Vetëvendosje-s, Rexhep Selimi, i cili shprehet i bindur se marrëveshja në fjalë nuk do ratifikohet.
Si një nga deputetët më të zëshëm opozitar, Selimi është “pro” që opozita të merret vesh dhe së bashku të sfidojnë partitë në pushtet edhe në zgjedhjet e reja parlamentare, çka e lë si temë të hapur për diskutim pas kthimit të Haradinajt.
Selimi, në një intervistë dhënë për tesheshi. com flet edhe për shumë tema të rëndësishme, si për dështimin e iniciativës së presidentit Thaçi për bërjen e ushtrisë, për Gjykatën Speciale, për zgjedhjet lokale të tjera….
Intervistoi: Blendi Gashi
Po e nisim intervistën me deklaratën që bëri ditë më parë deputeti Daut Haradinaj që paralajmëroi luftë nëse Ramushi ekstradohet në Serbi. Si e keni parë ju këtë, por më pas dhe regimet e Amabsadave dhe UNMIK-ut?
Normalisht se nuk mund t’i referohem duke dëgjuar deklarimet e Vuçiçit dhe Thaçit të kësaj teme. Sot z. Haradinaj e dha shpjegimin e vet dhe nuk do doja të flisja në emër të tij, dhe nuk do doja të bëhesha pjesë e çfarëdo lloj spekulimi.
A mendoni se ka gisht politika kosovare në arrestimin e Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze?
Nuk kam argumente të mjaftueshme që politika kosovare ka gisht në arrestimin e Haradinajt, por ka mundur dhe mund të bëj më shumë e aq më tepër institucionet kanë mundur të kushtëzojnë Serbinë, ku në mesin e kushteve do duhej të ishte edhe heqja e fletarresteve ndaj qytetarëve, të ndalet përndjekja e ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe rrjedhimisht edhe heqja fletarresteve ndaj personaliteve si z. Haradinaj.
Presidenti u tërhoq nga iniciativa për bërjen e ushtrisë. Ju keni thënë se Thaçi e ka pasur në skenar dështimin. A mund ta shpjegoni pak më shumë, çdo thotë kjo?
Lëvizja Vetëvendosje me të drejtë ka dyshuar në qasjen e tij, duke ditur edhe karakterin e këtij individi, por edhe duke ditur edhe përvojën e inicimit të amandamenteve kushtetuese në vitin 2014.
Është përsërit skenari i asaj kohe sepse më 2014 erdhën amandamentet kushtetuese në Parlament jo për t’u bërë FSK-ja force e armatosur siç shkruhej atje, por qëllimi kryesor ka qenë t’i vazhdohen vendet e rezervuara për komunitetin serb, për partnerin e koalicionit, pra Listën Serbe.
Pra edhe atëherë kjo nismë për shndërrimin e FSK-së në FAK rezultoi nismë për tu dështuar, andaj dyshuam me të drejtë se kjo nismë është nis për të dështuar.
Na vjen keq që nuk na ka demantuar koha, megjithëse qëndrimin Vetëvendosje e ka bërë public edhe për amandamentet kushtetuese edhe ndryshimet ligjore, kemi thënë se për shkak të parimeve do t’i votojmë dhe do t’i mbështesim.
Kështu që procedimi dhe tërheqja e ligjit për FSK-në doli të jetë një skenar i përgatitur për të dështuar dhe për t’i hapur rrugë kësaj teme në Bruskel.
VV ka deklaruar se parimisht është për ndryshimin e avancimit dhe ndryshimit të rolit të FSK-së siç jemi edhe për respektimin e ligjit aktual për FSK-në që nuk po zbatohet. Ne kemi thënë se kjo shumë nuk është e mjaftueshme për të ngritur kapacitetet ushtarake të FSK-së, kemi thënë se ashtuquajtura nisma e Thaçit, pasi nuk është nismë e tij mund të dështoi për shkak të qasjes së tij ndaj kësaj çështjeje. Ajo çfarë kemi vërejtur qysh në fillim që është kush për të dështuar, është moskordinimi me aleatët strategjik, faktorë vendor dhe ndërkombëtarë, me moskordinimin me Ministrinë e FSK-së, vet FSK-në, qeverinë dhe anën tjetër opozitën si factor kyç dhe determinues në rast se do të procedohej në Kuvend.
Ne e kemi denoncuar si lojë dhe mani e Thaçit për lavdi personale, por përkundër kësaj jemi deklaruar si Vetëvendosje se do ta votojmë këtë projektligj.
Javë më parë në burgun e Lipjanit ndërroi jetë edhe Naser Makolli, shoku i dhomës së Astrit Deharit? Është kjo një vdekje natyrale sipas jush apo…?
Në vend që të dilnin rezultatet përfundimtare të hetimit të vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, ku nyje kyçe e nxjerrjes së vërtetës ka qenë pikërisht dëshmitari kryesor, pra i ndjeri Makolli, por në vend të rezultateve kemi një vdekje më shumë në burg.
Nuk mund ta anashkalohet asnjëherë që vdiç dëshmitari kyç i një çështje kyçe politike që ka të bëj me shtetin në raport me të burgosurit dhe të akuzuarit.
Është një dëshpërim shumë i madh për të gjithë ata që kanë menduar që drejtësia do bëj diçka, por është shqetësim poashtu i madh i qytetarëve të vendit se në dorë të kujt i kanë familjarët e vet, në këtë rast të burgosurit.
Nëse bëhet fjalë për vdekje tashmë në “duar të sigurta të shtetit”, atëherë si mund të jenë të sigurt ata që janë larg edhe institucioneve shtetërore.
Andaj, mendoj se vdekja në burg përveç tjerash është edhe një pasiguri totale e qytetarëve të cilët kanë të drejtë të jenë të shqetësuar.
Duke u ndërlidhur me dy rastet e lartcekura, të burgosurit po privohen nga liria apo nga jeta?
Në fakt shteti ka bërë tri lloj privimesh. Në radhë të parë ka privuar nga liria njerëz të pafajshëm siç është Astriti dhe aktivistëte tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, e dyta ka privuar nga jeta pavarësisht çfarëdo situate, forme apo çfarëdo faktorësh të burgosur brenda, dhe mbi të gjitha ka privuar nga drejtësia opinionin dhe qytetarët e Kosovës. Kështu që qytetarët nga ky shtet po qëndrojnë të mbesin të privuar nga jeta, liria dhe në fund edhe nga drejtësia.
Vdekja brenda ambienteve të burgut, brenda grilave është shenjë e keqe jo vetëm për të tashmen por edhe për përspektivën e qytetarvëve të vendit.
Kryeministri Mustafa ka deklaruar se këtë muaj do e riprocedoj në Kuvend marrvëveshjen për Demarkacionin. Ju e shihni rrëzimin e kësaj marrëveshje nga deputetët apo VV nuk do lejoi fare që ajo të hidhet në votim?
Vetëvendosje do vazhdoj qëndrimin kundër kësaj marrëveshje, do vazhdoj aktivitetin dhe protestën kundër kësaj marrëveshje, si dhe ndaj marrëveshjes pë “Zajednicën”.
Një qëndrim i tillë ka bërë që marrëveshja të mos kaloj. Mos të harrojmë se marrëveshja është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 dhe nga atëherë dhe deri sot nuk ka kaluar si marrëveshje e tillë, dhe motoja jonë “Demarkacioni nuk kalon”, “Zajednica nuk kalon” doli dhe vazhdon të jetë një moto që do realizohet nga një relacion i domosdoshëm deputet dhe zgjedhës, për shkak se këto marrëveshje nuk do të ndaleshin pa përkrahjen edhe të qytetarëve në shesh, por edhe qytetarët nuk do e mund ta ndalnin vetëm pa Vetëvendosjen në Parlament.
Kështu që edhe në të ardhmen do jemi një, nuk ka ndryshuar asgjë.
A pritni të kaloj apo jo marrëveshja?
Unë nuk pres që të kaloj marrëveshja, por do bëjm gjithçka të mos kaloj, dhe të gjitha shansat për të kaluar kjo marrëveshje ju kanë shterruar qeverisë. Ka edhe deputet përtej opozitës që kanë qenë të dyshimtë por tani janë edhe më afër kundërshtimit të tyre, andaj pres që të mos kaloj.
Do bëjm siç e thash çdo gjë që kjo marrëveshje të mos kaloj, kur them gjithçka, e kam fjalën brenda aktiviteteve tona të njohura si opozitë.
A pritni që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sivjet? Nëse po, a mund të jepni një kohë, apo kur shihni mundësi më të mëdha që qytetarët do i drejtohen kutive të votimit?
Zgjedhjet e parakohshme do duhej të ndodhnin qysh në kohën kur Gjykata Kushtetuese e kap në flagrance shkelje të kushtetutës, për shkak se qeveria me marrëveshjen për “Zajednicën” ka rezultuar si shkelëse e Kushtetutës në 23 nene të saj.
Kështu që do duhej që me automatizëm të shkohej në zgjedhje, sepse kryeminsitri do duhej e pakta të jepte dorëheqje dhe të thirrej në llogari.
Duke parë mosfunksionimin e Parlamentit totalisht, jo pse më herët ka funksionuar, atëherë duket se të gjitha parakushtet janë krijuar që kjo qeveri të mos mund të rezistojë edhe më tutje pa shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Javët e ardhshme janë determinuese kur do ketë zgjedhje, por zgjedhjet mund të ndodhin edhe në pranverë.
Lëvizja Vetëvendosje do bëj gjithçka që sa më shpejt që vendi të shkoj në zgjedhje të reja dhe qytetarëve t’iu hapet një përspektivë ndryshe prej asaj që i ka ofruar qeveria aktuale.
Shpend Ahmeti është një nga zyrtarët brenda VV-së që në vazhdimësi thërret për bërjen e një liste të përbashkët opozitare së bashku me shoqërinë civile për zgjedhjet e reja. A ka diç të re në këtë drejtim? A ka gjasa që të shkoni me një listë më të gjërë zgjedhore apo do kandidoni si parti e vetme?
E vlerësoj shumë bashkëpunimin opozitar në të kaluarën për tema kyçe. Opozita edhe dje edhe sot, shpresoj edhe nesër të jetë në të njëjtën linjë, pra siç është kundër “Zajednicës”, kundër Demarkacionit kundër qeverisë në përgjithësi.
Pra dje edhe sot opozita është unike për çështje kyçe. Normalisht që gjatë rrugës ka pasur veprime të përbashkëta edhe të ndara me njëra-tjetrën por qëllimet kanë mbetur të njëjta dhe unë i vlerësoj qëllimet e të gjitha subjekteve politike dhe në këtë rrafsh e vlerësoi opozitë unike në qëndrimet e saj pavarësisht veprimeve që mund të jenë të ndryshme.
Edhe në të ardhmen Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të bashkëpunim të tillë opozitar, pasi mendon se ky pushtet, kjo qeveri duhet patjetër të shkoj në opozitë, për shkak se kur të shkojnë në opozitë edhe drejtësia do t’i ketë duar më të lira për t’i vlerësuar punën dhe aktivitetet e tyre joligjore gjatë qenit të tyre në pushtet.
Lëvizja Vetëvendosje i vlerëson qëndrimet e spektrit tjetër opozitarë dhe e sheh të nevojshme dhe disa momente edhe të domosdoshme bashkëveprimin opozitar edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Normalisht në zgjedhjet e ardhshme mund të ketë koalicione, dhe subjekte që garojnë veç e veç, por prapëseprapë mendoj që po shkohet drejt dy blloqeve politike në Kosovë.
Më vjen mirë që është blloku kundër së keqes (opozita) sepse identifikon të keqen dhe të këqiajt tashmë janë identifikuar, e ato i ka identifikuar Vetëvendosje në veçanti por edhe spektri opozitar në përgjithësi.
Pra, ta sqarojmë jeni të shkohet si front i përbashkët opozitar me një listë zgjedhore apo jo?
Lëvizja Vetëvendosje do preferonte, por nuk mund t’ia imponoj subjekteve tjera, apo t’iu vëj kushte të tilla, por shumë më mirë do ishte të jemi sa më të bashkuar edhe në zgjedhje edhe në pushtetin e ardhshëm.
Ju së bashku me Kurtin e Ahmetin keni vizituar Ramushin në Francë. A keni biseduar për ribashkimin e mundshëm të opozitës apo jo?
Normalisht se kemi biseduar për këtë çështje, jo në veçanti jo me specifika, sepse nuk ishte kjo arsyeja jonë e shkuarjes atje. Arsyeja ishte një përkrahje të z. Haradinajt për momentet që po i kalon, dhe një manifestim i kundërshtimit për fletarrestet e Serbisë, si dhe një vërejtje për qeverinë që nuk po bën aq që mundet të bëj, edhe në rastin Haradinaj edhe në raport me Serbinë. Sido që të jetë shkuarja jonë te Haradinaj ka qenë një shenjë e mirë se opozita në përgjithësi dhe qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje mbetet konsistent sa i përket edhe të tashmes por edhe të ardhmes politike. Mbetet në duar të subjekteve të tjera të reflektojnë por prapëseprapë si Vetëvendosje do na gjejnë aty ku na kanë lënë.
Me rikthimin e Ramushit a do e diskutoni këtë çështje?
Shpresoj që po. Unë mendoj se do ishte mirë që kundërshtarët e qeverisë të jenë bashkë edhe në zgjedhje sepse kjo do ishte shuarje e shpresave e kujtdo që mund ta përçante opozitën e tanishme.
A pritni fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë? Po triumfin e VV-së në ndonjë komunë tjetër?
Nuk dua ta marrë rolin e parashikuesit por mendoj se Shpend Ahmeti fitoren e mandatit të dytë e ka mbjellur me punën e vet, pra këtë fitore ai e ka mbjellur. Prandaj, jo vetëm që e pres por mendoj se është diçka që do duhej të ndodhte, që mandati i dytë të ishte kurorëzim i gjithë suksesit dhe qëllimeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Shpend Ahmetit në Prishtinë.
Pavarësisht se duken katër vite pak çfarë pune ka pasur të bëj, mendoj se Shpend Ahmeti ditën e tij të fundit të mandatit të parë do i prezantoj të gjitha sukseset e tij dhe të realizuara 100 për qind premtimet që i ka bërë në fushatë zgjedhore.
Kështu që Shpend Ahmeti e ka mbjellur fitoren e mandatit të dytë.
Po ndonjë komunë tjetër a pritni ta fitoni?
Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritje në gjitha matjet, edhe të përkrahësve, edhe të kundërshtarëve edhe të neutralëve, dhe kjo tashmë dihet.
Në zgjedhjet lokale VV do shkoj shumë e fuqishme dhe do përqendrohet te pikat e saj të forta dhe Komuna e Prishtinës nuk do jetë komuna e vetme e pushtetit vendor e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kush do duhej të ndihej i rrezikuar nga Gjykata Speciale?
Ata që do duhej të ndihen të rrezikuar tashmë janë të rrezikuar, janë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo çka nuk do duhej kurr të rrezikohej, është rrezikuar, misioni, ftyra dhe qëllimi i UÇK-së. E keqja ka ndodhur, pasi në Parlament është votuar një gjykatë Speciale e cila paragjykon UÇK-në, kurse fati i individëve është relativ sepse me apo pa këtë gjykatë, as nuk janë më shumë e as më pak të rrezikuar, as nuk kanë më shumë e as më pak imunitet ushtarët e UÇK-së. Andaj, ajo që nuk do duhej të ndoshte tashmë ka ndodhur.
Për fund, a pritni të trazojë skenën politike kjo gjykatë?
Nëse kjo gjykatë ka agjenda politike, është në përputhje me agjenda politike, do ketë edhe efekte politike. Kur ka efekte politike normal se ato nuk janë fort pendante. /tesheshi.com/