Akti i pazakontë i ndodhur në Gjykatën e Hagës, ai i vetëhelmimit të gjeneralit kroat Slobodan Praljak, që më pas vdiq, ka provokuar një tjetër përplasje verbale mes serbëve dhe kroatëve, lidhur me të djeshmen e përgjakur gjatë luftës së tmershme të Bosnjes.
Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, mbrojti aktin e bashkëatdhetarit të saj, sigurisht me keqardhjen për atë që ndodhi, duke thënë se si ishte vërtet i pafajshëm.
“Praljak zgjodhi të vdiste dhe jo të jetonte si i burgosur i dënuar për krime që nuk i ka kryer. Kroacia nuk sulmoi askënd. Përkundrazi, mbështeti unitetin e Bosnjes. Sulmuesit ishin ushtritë serbe dhe jugosllave të udhëhequra nga Millosheviçi”, tha Kitaroviç.
Nga ana tjetër, ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, që tha se ishte e lehtë për të gjithë që kur vjen fjala për luftën, të fajësojnë serbët. Por siç tha ai, askush nuk ishte dënuar për krime kundër serbëve, duke mos specifikuar ndonjë. /tesheshi.com/