Qeveria kosovare vendosi të fusë Veriun në karantinë, pasi siç u njoftua nga ministri i Brendshëm Xhelal Svelça, aty është krijuar një “vatër e kuqe” infektimi më shumë raste të tjera me koronavorus.
Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19″, njoftoi Svelça.
“Po bëjmë gjithçka tërë kohën për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit, i cili nuk njeh kombësi, fe, rajon apo moshë. Jemi të përkushtuar që t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve pa kurrfarë dallimi”, shton ai.
Nga ana tjetër, presidenti Thaçi akuzoi qeverinë për shfaqjen e infeksioneve në Veri.
“Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë.
Të gjitha masat e ndërmarra nga institucionet shëndetësore dhe ato të rendit e ligjit, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka për detyrë të sigurohet që të zbatohen anekënd territorit të Republikës së Kosovës.
Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës”, shkroi Thaçi. /tesheshi.com/