Miliarderi britanik Richard Branson planifikon të organizojë një koncert bamirësie në Kolumbi për të ngritur vetëdijen globale për krizën venezueliane si dhe për të mbledhur fonde për ndihma humanitare për këtë shtet.
Presidenti i përkohshëm i vetëshpallur i Venezuelës, Juan Guaido dhe disidenti politik Leopoldo Lopez i kanë kërkuar Bransonit që të organizojë një koncert të tillë, siç sqaroi ky i fundi në një video-mesazh.
Koncerti do të mbahet më 22 shkurt në qytetin kufitar Kukuta, ku ndihma humanitare po mblidhet për Venezuelën nga ana kolumbiane e kufirit.
Më parë këtë javë, Guaido tha se 23 shkurti është dita kur do të vendoset për hyrjen e ndihmës në vend.
“Qëllimi ynë është të mbledhim 100 milionë dollarë në 60 ditë dhe të hapim kufijtë e shtetit në mënyrë që ndihma humanitare të arrijë në fund te miliona njerëz që janë në nevojë”, tha Branson në një video.
“Me një përzgjedhje fantastike të artistëve ndërkombëtarë dhe rajonalë, koncerti do të transmetohet në të gjithë botën”, shtoi ai.Venezuela është në një krizë ekonomike dhe politike që ka rezultuar me inflacion galopant dhe mungesë të përhapura të ushqimit dhe ilaçeve. Më shumë se 2.3 milion njerëz janë larguar nga vendi që nga viti 2014, dhe vetëm në Kolumbinë fqinje ka pothuajse një milion venezuelanë. /tesheshi.com/