Qeveria shqiptare i dha statusin e investitorit strategjik dhëndërit të Presidentit Trump, Jared Kushner, kompania e të cilit do investojë në Sazan, duke ndërtuar aty kompleks turistik.
Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe t’i japë asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë.
Sipas vendimit, në Sazan parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8% të ishullit ose 45 hektarë.
“Vlera e investimit të projektit turistik ‘resorti turistik – ishulli i Sazanit’ i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro”, thuhet në vendim.
Vendimi nuk bën me dije se çfarë përfiton Shqipëria nga transferimi i pronës publike në favor të kompanisë amerikane, por përmendet se do të negociohet një kontratë me kompaninë amerikane, ku edhe Shqipëria do jetë pjesë e këtij investimi. Kjo ishte paralajmëruar edhe nga kryeministri Edi Rama.
“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët…”, thuhet në vendim. /tesheshi.com/