Italia ka refuzuar të marrë pjesë në sulmet e SHBA-së dhe Britanisë kundër Houthi-t në Jemen, ndërmarrë tre ditë më parë, tha një burim qeveritar, duke shpjeguar se Roma preferon një politikë “zbutëse” në Detin e Kuq.
Burimi, i cili nuk donte të emërohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha gjithashtu se qeveria do të kishte nevojë për mbështetje parlamentare për të marrë pjesë në çdo veprim ushtarak, duke e bërë të pamundur miratimin e shpejtë.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania shënjestruan objektiva të shumta në Jemen nga ajri dhe deti, ndërsa Holanda, Australia, Kanadaja dhe Bahreini kanë ofruar mbështetje logjistike dhe të inteligjencës, thanë zyrtarët amerikanë.
Sulmet janë një përgjigje ndaj sulmeve të përsëritura të houthinjve ndaj anijeve në Detin e Kuq, një nga rrugët tregtare më të ngarkuara në botë.
Huothi të mbështetur nga Irani njoftuan në dhjetor 2023 se do të synonin të gjitha anijet e destinuara për në Izrael, pavarësisht nga flamuri, dhe paralajmëruan të gjitha kompanitë ndërkombëtare të transportit që të mos bëjnë biznes me portet izraelite.
“Nëse Gaza nuk merr ushqimin dhe ilaçet që i nevojiten, të gjitha anijet në Detin e Kuq që udhëtojnë drejt porteve izraelite, pavarësisht nga kombësia e tyre, do të jenë në shënjestër të forcave tona të armatosura”, tha zëdhënësi i grupit.
Në fillim të kësaj jave, ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto i tha Reuters se sulmet e houthinjve duhet të ndalen pa ndezur një luftë tjetër në rajon. /tesheshi.com/