Studiuesi Valter Gjoni, vjen me një ekspozitë fotografike tepër të veçantë në llojin e saj: ai ka sjellë për publikun, 41 kryebashkiakët e Tiranës përgjatë një shekulli të tërë. Ka hulumtuar për vite me rradhë për të gjetur fotografi dhe për të plotësuar biografinë e 41 burrave që kanë drejtuar Tiranën që nga viti 1912 e deri më sot, e megjithatë prapë nuk është i bindur se historia e Bashkisë së Tiranës mbaron me kaq, pasi mund të ketë edhe ndonjë figurë tjetër që nuk është përfshirë në listë.
Ekspozita ka ngjallur mjaft interes, jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë por edhe nga figura publike, e politike e madje edhe nga disa prej ish-kryebashkiakëve që janë pjesë e ekspozitës apo e familjarëve të tyre. Ekspozita fotografike e studiuesit Valter Gjoni nis nga Zyber Hallulli, te Servet Libohova, Ali Begeja, Ali Derhemi, Beqir Rusi, Xhemal Kondi, Fuat Toptani etj., për të mbërritur në kryetarët e bashkisë në vitet e demokracisë, si Tomor Malasi, Sali Kelmendi, Albert Brojka, Edi Rama, Lulzim Basha dhe i fundit i zgjedhur më 21 qershor 2015, Erion Veliaj. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri më 10 korrik në MHK, por z.Gjoni thotë se nisur nga interesi edhe mund të shtyhet data e mbylljes…
Bisedoi: Entela Canaj
Z.Gjoni, vini me nje ekspozitë jo të zakonshme fotografie, ku i prezantoni publikut, tiranas sidomos, fotografitë dhe jetën e 41 kryebashkiakëve që ka pasur Tirana përgjatë një shekulli, që nga themelimi i shtetit shqiptar më 1912. Pse kjo zgjedhje, dhe pse në këtë periudhë kur ne sapo mbyllëm zgjedhjet lokale dhe pritet ndërrimi i kryebashkiakëve? Keni një mesazh për të përcjellë për publikun, apo edhe për ata që do të jenë drejtuesit e rinj të bashkive në vend?
Nuk kam ndonjë mesazh të madh për të përcjell me këtë ekspozitë, por kam dëshirë që qytetarët e Tiranës, veçanërisht, ta njohin historinë e qytetit të tyre, nëpërmjet këtyre burrave të vlerësuar të qytetit që në periudha të ndryshme kanë dhënë kontributin dhe bëmat e tyre: dikush ka përballuar vitet e luftës së parë botërore, dikush ka përballuar periudhat tranzitore të Princ Vidit, dikush ka marrë pjesë në fillimet e ndërtimit të këtij qyteti, e deri në ditët e sotme kur sapo kemi zgjedhur kryebashkiakun e ri, Erjon Veliaj që unë e kam bërë pjesë të kësaj ekspozite. Unë dua që me këtë ekspozitë të mbetet një pjesë historie, për të ditur tashmë që kemi pasur alternativa nga më të ndryshmet. Dikur thuheshin 25 kryetarë bashkie, shifra nga më të ndryshmet, madje edhe sot këtu nuk jemi saktë sepse në ditët e hapjes së ekspozitës unë kam marrë informacion që mungon edhe një person, Qemal Vaqarri, i cili ka qenë në periudhën 1945-1946. Më ka ardhur një pjesëtar i famljes me dokumentacion krejt të rregullt. Po ashtu gjatë kërkimit të kësaj periudhe janë shtuar edhe disa të tjerë që janë harruar apo nuk janë evidentuar më herët dhe janë vërtet figura tepër interesante.
Sa e vështirë ka qenë për ju të grumbulloni këto foto dhe të dhëna për jetën e këtyre kryebashkiakëve që nga koha e shpalljes së Pavarsisë, ku i keni gjetur këto të dhëna?
Unë kam pasur një arkiv timin personal, sepse një tentativë për ta hapur këtë kam bërë dikur në vitet 2000, por që atëherë konstatova se nuk ishte e plotë, dhe shumë biografi të këtyre njerëzve nuk diheshin; dhe nëse janë ekspozuar deri më sot janë pa biografi. Përshembull dihet që Zyber Hallulli ka qenë kryetar bashkie, Ismail Ndroqi ka qenë kryetar bashkie, Fuat Bej Topatni ka qenë kryetar bashkie, por për jetën e tyre nuk dihej gjë: çfarë kanë qenë këta njerëz, arsimin që kanë patur; dhe këtu zbulojmë figura mjaft interesante ku të gjithë kanë qenë me arsim të lartë, teologji, filozofi, e deri te humanistët si Zyber Hallulli.
Pra ka ende vend për ta pasuruar këtë pjesë të historisë së Tiranës?
Ka vërtet vend për t`u pasuruar, sepse kjo ekspozitë që po qëndron hapur, po qëndron edhe për një arsye tjetër, pasi unë zhvilloj kontakte me pjesëtarët e familjeve. Përshembull kemi këtu Myqerem Fugën, para pak ditësh takova një nga djemtë e tij dhe më plotësoi të dhënat që kisha për të, i cili ka studiuar në Itali, ka mbaruar dhe normalen e Elbasanit dhe ka shumë figura që duhen plotësuar.
Për kë vlejnë më shumë këto informacione z.Gjoni, jo thjesht në aspektin e kureshtjes por të dobishmërisë? A mendoni se pavarësisht ekspozitave vetjake, edhe vetë shteti shqiptar duhet të kujdeset pë ruajtjen dhe përcjelljen e këtyre figurave dhe të kësaj pjesë të historisë?
Adminstratës publike shqiptare i duhet një informacion i tillë sepse kjo është zanafilla. Ne kemi pasur kryetarë bashkie po nuk kemi pasur ministër, ne kemi pasur një bashki në vitet 1912-1913 por ama e kemi Tiranën kryeqytet në vitet 1920; domethënë ka shumë ndryshime, thjesht dokumentacioni që disponoj e mundëson një gjë të tillë. Flas për dokumentacionin që kam unë, pasi nuk mbaron me kaq, kjo mund të kalojë në duart e specialistëve të cilët mund ta pasurojnë me biografitë dhe fotografi të tjera, apo edhe me pjesë filmike. Pra në Tiranë është e nevojshme që të egzistojë një pavion i tillë me emrat e kryebashkiakëve të Tiranës, sepse këto personalitete janë vërtet identiteti i Tiranës, sepse janë burrat që për 100 vjet kanë drejtuar Tiranën, dhe për 100 vjet kanë bërë histori; edhe histori si kryetar bashkie por edhe histori si biografi personale.
Pra e mira është që kushdo që të vijë ta dijë kë ka pasur kryetar, çfarë ka bërë ai kryetar, sepse e gjithë ekspozita të 41 personat kanë vlerë humanitare, që nga i pari e deri tek i fundit; ku Zyber Hallulli hapi shtëpi fëmije dhe është quajtur babai i jetimëve, ndërsa i fundit Erjon Veliaj u morr me jetën sociale të qytetarëve; të paktën kur ishte ministër, por ky është edhe programi i tij gjatë fushatës. Kjo do të thotë se kemi dy skaje shumë intresantë të cilët sa të largët janë në kohë aq të afërt janë në thelb.
Por pavarësisht se ju jeni fokusuar të sillni kryebashkiakët që nga 1913-ta, kjo nuk do të thotë që edhe më herët Tirana s’ka pasur kryebashkiakë, pavarësisht emërtimeve apo mënyrës së administrimit sipas epokave në të cilat është jetuar? Ka të dhëna, gjurmë apo dokumentime më të hershme se 1913-ta për Tiranën?
Po sigursht që ka. Gjurmë për këtë është vetë Kalaja e Tiranës që i përket periudhës së antikitetit. Aty ka pasur një funksion, për shembull administratori i stacionit të ndërrimit të kuajve që konsiderohet Kalaja e Tiranës, personi që e administronte atë varej nga Muniçipio e Iliricum. Pra në atë koha Roma ndau territoret me bashki që në atë kohë quheshin Muniçipio; dhe nga studimet që janë bërë, ky person emërohej nga Muniçipio që ishte diku në afërsi të Novi-Pazarit. Pra Kalaja është një dëshmi, ka qenë institucion në varësi të Senatit Romak, që përbën një të dhënë historike shumë interesante.
Nisur nga kjo ekspozitë dhe nga të dhënat apo studimet që ju keni lexuar kush kanë qenë kryebashkiakët më te suksesshëm dhe ata më jetëgjatë apo më jetëshkurtër sa i përket karrierës së tyre në krye të drejtimit të Tiranës?
Mund të them se secili ka pasur suksesin e tij. Ndërsa më jetëshkurtrit janë Xhemal Konti dhe Beqir Rusi, sepse këta ishin që në kohën e revoltës së Nolit, revolucioni i qershorit 1924, edhe njëri rrëzoi tjetrin, pra që kanë gëzuar pushtet prej 4 apo 5 muajsh. Përkrahësi i Nolit, Beqir Rusi u dënua me vdekje nga Zogu, ashtu si shumë të tjerë pjesëtarë të qeverisë së Nolit. Ndërsa tjetri ishte luftëtar, patriot vërtet. Madje sot një nga rrugët më të rëndësishme të Tiranës mban emrin ‘Tre Vëllezërit Kondi’. Ndërsa më jetëgjati është Edi Rama dhe që pasohet nga Nasif Ibrahimi, Nasifi ndenji 8 vjet ndërsa Rama 11 vjet.
Ndërkohë lexojmë se edhe jeta dhe biografitë e tyre janë shumë interesante dhe të dhimbshme në disa raste, pasi janë internuar apo përndjekur nga regjimi i kohës…?
Po është e vërtetë edhe kjo pjesë. Për shembull është rasti i Abedin Nepravishtës, 25 vjet nënprefekt dhe kryetar bashkie, dy herë kryetar i Tiranës, ai që ka organizuar ceremoninë e varrimit të Ismail Qemalit, që ka organizuar ceremoninë e varrimit të Naim Frashërit, dhe përfundoi në burg. Qazim Mulleti është larguar, kjo jo vetëm në periudhën e Zogut, por edhe zvëndëskryeministra kryetarë të pushkatuar, pastaj kanë biografitë dhe shkollat e tyre. Shkollat e tyre janë shumë interesante, si të periudhës së Zogut, edhe në atë aktuale, të gjithë vijnë nga nivele elitare. Grupimi i parë është fetar, edhe kanë pasur shkolla teologjike dhe filozofike. Aktualisht nuk kemi shkollë të administratës publike, ndërsa Abedin Nepravishta ka mbaruar shkollën për Administrim Publik në Stamboll. Edhe këto përbëjnë background të tyre që më ngacmon për t’i përfshirë. Por ka dhe nga ata që kanë hedhur themelet e bashkisë së bukur, ndërsa Nasif Ibrahimi është kryetari që ja hodhën në erë këtë bashki të bukur, për të ardhur deri në bashkinë ku jemi sot.
Dhe një pyteje të fundit, ju keni pak ditë që e keni çelur ekspozitën dhe nuk keni dashur të bëni një hapje të bujshme apo mediatike, por si ka qenë interesi i njerëzve për ta parë këtë ekspozitë?
Kjo është një ekspozitë që në intervale të ndryshme vjen dhe vizitohet, shtypi ka folur goxha; ka pasur interes nga të gjithë, edhe vetë ka personalitete, pra disa nga kryebashkiakët që janë ekspozuar këtu që vijnë e shohin, për shembull erdhi Nasif Ibrahimi, Tomorr Malasi; kanë ardhur këshilltarët bashkiakë, ish-kryetarët e këshillit bashkiak. Të cilët vijnë dhe ndiejnë një kënaqësi. Madje është krijuar dhe një xhelozi me këshilltarët bashkiakë, të cilët më kërkuan që edhe për ta të bëja një ekspozitë. Por nuk mungojnë të dhënat edhe në këtë drejtim, pasi ka qenë një studim shumë i mirë i Osman Myderizit, i cili ka qenë funksionar bashkiak në kohën e Zogut dhe në 1937 me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë ka bërë një botim modest për kohën por që kanë të dhëna intersante për kryetarët e bashkive dhe për këshillat bashkiakë. Në atë periudhë u krijua një elitë njerëzish të adminsitarës lokale që nuk kanë qeverisur vetëm Tiranën por kanë qenë kryebashkiak në disa qytete të vendit, Korçë; Elbasan etj. /tesheshi.com/