Drejtori i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke folur për themelimin e ushtrisë së Kosovës ka thënë se po tentohen të blihen deputetët e Listës Serbe për të dhënë votën e tyre “pro”.
Por pavarësisht kësaj, sipas Gjuriq, serbët nuk mund të binden për formimin e ushtrisë.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar menjëherë Bajram Gecaj këshilltar i kryeministrit Mustafa, duke thënë se serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë të cilët nuk kanë nevojë të blihen e as të shiten nga shteti i Kosovës.
Në një postim në Facebook, Gecaj ka shkruar se është qeveria e Serbisë ajo që i ka manipuluar dhe vazhdon t’i manipulojë qytetarët serbë.
“Serbët e Kosovës z. Gjuriq janë qytetarë të barabartë (madje të diskriminuar pozitivisht ) të Republikës së Kosovës të cilët nuk kemi nevojë as t’i blejmë e as t’i shesim. Është qeveria e Serbisë ajo e cila i ka manipuluar dhe fatkeqësisht vazhdon t’i manipulon ende, madje qartazi edhe kundër interesit të tyre qytetarë e njerëzor. Ushtria e Kosovës do të themelohet z. Gjuriq, ndërsa thirrja në Rezolutën 1244, ashtu siç ju ka kushtuar një herë, me një humbje dëshpëruese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, do t’u përplaset fytyrës sa herë të tentoni të thirreni në te”, ka shkruar Gecaj. /tesheshi.com/