Mediat ruse kanë shprehur shqetësimin për nisjen e një ere të re zhvillimesh në Serbi pas fitores së Aleksandër Vuçicit si President.
Portali i Kremlinit Sputnik ka publikuar që në mëngjes lajmin se trupa ushtarake amerikane kanë zbarkuar në jug të Serbisë, pikërisht në Preshevë, aty ku ndodhet Baza e Jugut e armatës serbe dhe pranë të ashtuquajturës Qendër Humanitare serbo-ruse që gjendet në Nish.
Perëndimi ka deklaruar se kjo qendër nuk është gjë tjetër veçse një postacion operativ i spiunazhit rus.
Kontigjenti më i madh i forcave të armatosura perëndimore ka mbërrritur në Serbi për të marrë pjesë në stërvitjen ushtarake “Platinum Wolf 17”.
Në aeroportin e Beogradit kontigjenti u prit nga ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjordjeviç dhe ambasadori i SHBA në Beograd, Kyle Scott.
Përveç 80 anëtarëve të Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara Ohio për të marrë pjesë në “Platinum Wolf 17” është planifikuar pjesëmarrja e rreth 450 ushtarëve nga Serbia, Bosnja, Bullgaria, Maqedonia, Hungaria, SHBA, Sllovenia, Britania e Madhe dhe Mali i Zi.
Njësitë do të përdorin armët jo-vdekjeprurëse, dhe një nga qëllimet e ushtrimeve është shkëmbimi i përvojave të njësive në angazhimet e mëparshme në operacionet paqeruajtëse.
Gjordjeviç tha se kjo është një manovër shumë e rëndësishme ushtarake për Serbinë, sepse ajo do të kontribuojë në forcimin e aftësive operacionale dhe funksionale të Ushtrisë së Serbisë, dhe se trupat tanë kanë çfarë të mësojnë nga anëtarët e Gardës Kombëtare Ohio.
Ambasadori Scott beson se “stërvitja do të jetë një mundësi e madhe për këdo që të kuptojë se si të gjithë bashkarisht t’u përgjigjemi situatave dhe të bashkëpunojmë. Kjo është e mirë për bashkëpunim në rajon, dhe se ardhja e një grupi të anëtarëve të Gardës Kombëtare Ohio është një tjetër tregues i partneritetit, miqësisë dhe bashkëpunimit ushtarak me ushtrinë e Serbisë”.
Stërvitja ushtarake “Platinum Wolf 17”, do të mbahet në bazën “Jug” që ndodhet në Preshevë, nga 12 deri 23 qershor dhe kjo ishte një nga 130 aktivitetet e planifikuara të realizohet këtë vit, bazuar në Planin e bashkëpunimit ushtarak dypalësh me SHBA. /tesheshi.com/