Një gjykatë pakistaneze nxori të martën një urdhër arresti për ish-drejtuesin ushtarak të vendit, gjeneralin Pervez Musharraf.
Musharrafi e ka shmangur në mënyrë të përsëritur paraqitjen në gjykatë në një proces gjyqësor për vrasjen në 2007-n të një kleriku të lartë, Gazi Abdul Reshidit, të Xhamisë së Kuqe të Islamabadit.
Musharrafi është akuzuar për urdhërimin e një operacioni ushtarak kundër xhamisë, e cila qe konsideruar një qendër për militantët, gjatë së cilit u vranë gjithashtu më shumë se 100 studentë.
Musharrafi, i cili e qeverisi Pakistanin nga 1999 në 2008-n, po përballet në të njëjtën kohë me akuza për vrasjen e ish-kryeministres Benazir Butto dhe qeverisësit provincial Navab Akbar Bugti, si dhe me një çështje për tradhti të lartë për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend në nëntorin e vitit 2007.
Ai ka shmangur paraqitjen në një sërë seancash gjyqësore, duke pretenduar se ka probleme me zemrën. /tesheshi.com/