Drejtues të universitetit të Prishtinës, i janë qasur cështjes së kishës serbe në qendër të territorit të saj vetëm me “arsye pronësore” e aspak nacionaliste apo politike.
Ata, me anë të një deklarate “kundër kishës që duhet larguar që aty” kanë kërkuar më shumë kthimin e pronës.
“Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, respektivisht gjithë profesorët dhe studentët e tij, janë të brengosur dhe po i përcjellin me shqetësim zhvillimet rreth objektit të Kishës Ortodokse të ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës.
Është botërisht i ditur procesi i ndërtimit të këtij objekti në pronën tonë, sikundër që edhe baza juridike e këtij ndërtimi e ofruar nga një pushtet që për dekada promovoi dhe ushtroi dhunën dhe terrorin.
Sidoqoftë, neve shpresojmë që institucionet tona, përmes rrugëve politike dhe juridike, do qartësojnë situatën duke na kthyer pronën mbrapa, në mënyrë që neve bashkë me studentët të vazhdojmë rrugën e avancimit akademik, të lirë dhe njëjtë për të gjithë.
Ky qëndrim në asnjë mënyrë nuk duhet të kuptohet si interferim në kontekst të lirive fetare dhe respektit të komuniteteve në Kosovë, të cilat duhet te mbrohen dhe respektohen”.
Prej muajsh, në opinionin kosovar është rihapur çështja e kishës serbe në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, një objekt i vonë, vepër e kohës dhe frymës millosheviçiane. Por ditët e fundit, ka një angazhim të studentëve dhe të disa segmenteve të politikës për ta shkulur atë simbol, jo aq fetar por krejt nacionalist serb që aty. /tesheshi.com/