Një raport i UNICEF-it flet për 25 fëmijë palestinezë të vrarë në tre muajt e fundit të vitit të shkuar. Veç kësaj, numri i të ndaluarve të kësaj moshe nga forcat izraelite ka qenë më i larti në shtatë vite.
Siç njofton agjencia e lajmeve AFP, UNICEF thekson në raport se, “Shqetësime serioze ka patur në lidhje me përdorimin e tepërt të forcës, veçanërisht sa ka të bëjë me incidentet ku fëmijët palestinezë janë qëlluar për vdekje nga forcat izraelite të sigurisë pas kryerjes së sulmeve me thikë, apo pas dyshimeve për to.”
Sipas raportit, më shumë se 1.300 fëmijë palestinezë janë plagosur gjatë kulmit të sulmeve, thuajse të gjithë në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin lindor.
UNICEF jep shembullin e një 17-vjeçareje palestineze, të marrë nga ushtarët izraelitë më 25 tetor në Hebron e të vrarë me më së paku pesë plumba.
Autoritetet përgjegjëse izraelite do të deklaronin se ajo qe përpjekur të qëllonte me thikë një polic, por një dëshmitar në vendngjarje do ta mohonte këtë pretendim, duke pohuar se ajo nuk paraqiste asnjë kërcënim në momentin kur qe qëlluar, e as nuk kishte thikë.
Krahasuar me numrin e madh të fëmijëve palestinezë të vrarë e të plagosur gjatë muajve tetor – dhjetor të 2015-ës, ka raportuar UNICEF-i, në tre muajt pararendës, korrik – shtator, janë vrarë katër fëmijë palestinezë dhe janë plagosur 165.
Organizmi i OKB-së ka vënë në dukje dhe numrin e lartë të fëmijëve palestinezë të moshës 12 gjer në 17 vjeç të paraburgosur nga ushtria izraelite. Shërbimi izraelit i burgjeve ka njoftuar për 422 të ndaluar të kësaj moshe në fund të dhjetorit të 2015-ës, shifra më e lartë që nga marsi i 2009-ës. /tesheshi.com/