Nga Blerim Kore, fotot: Roland Tasho
Nëpëmjet një mbrëmje gala, të shtunën ka ulur siparin e organizimit Argjiro Fest ON 2015, në kalanë e $gurtë të Gjirokastrës. Për një javë rresht, asamblet dhe artistë popullorë nga hapësira mbarëshqiptare përformuan në skenën e festivaleve folklorike të Gjirokastrës.
Në përfundim të organizmit, juria vlerësoi me çmimin e madh të festivalit Qarkun e Tiranës ndërkohë që janë akorduar çmime të veçanta për tekstin më të vjetër folklorik, kostumografinë më të mirë, vallen më të spikatur, etj.
Sipas ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në fazat përzgjedhëse si dhe në koncertet e dhëna në kala, gjatë organizmit të festivalit folklorik kombëtar u përfshinë rreth 7 500 mbartës të folklorit dhe artistë popullorë.
“Ky festival tregoi jo vetëm angazhimin cilësor të ministrisë së Kulturës por edhe vlerat e pashtershme folklorike që mbart populli ynë, duke sjellë në skenën e gurtë të kalasë risi dhe prurje nga folku i hapësirës mbarëshqiptare”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Organizatorët, pjesmarrësit si dhe artëdashësit, e kanë vlerësuar Argjiro Fest ON 2015, si një ndër edicionet më të spikatura në historikun e festivaleve të Gjirokastrës. “Mendoj se ky edicion i Festivaleve të Gjirokastrës solli risi jo vetëm në elementët folklorikë, por edhe në mnëyrën e konceptimit si një koncert apo spektakël bashkëkohor. Risi kishte edhe në elementë të skenarit dhe regjisë”, u shpreh skenaristi Pandi Laço.
Për këngëtaren e mirënjohur shqiptare, Rona Nishliu, pjesëmarëse në koncertin gala që mbylli FFK-në, skena e kalasë së Gjirokastrës në edicione të ndryshme ka prezantuar emra të njohur të folkut dhe artit popullor.
“Shumë prej këtyre interpretuesve të këngës popullore kanë lënën gjurmë dhe kanë ndikuar edhe tek brezi im i këngëtarëve të rinj. Ndihem e kënaqur dhe e emocionuar që megjithëse si këngëtare përshëndetëse, sërish do të ngjitem në skenën e festivaleve të Gjirokastrës”, u shpreh ajo.
Konsiderata për orgazimin e këtij edicioni të festivalit, shprehur edhe drejtorja organizative e tij, Meri Kumbe. “Për një javë rresht kënga dhe vallja e grupeve dhe ansambleve popullore jehoi në kalanë e Gjirokastrës. Përgjatë tij u prezantuan edhe prurjet në kostumografine dhe etnografinë e zonave të ndryshme të vendit”, u shpreh Meri Kumbe.
Pak histori
Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar fillimisht në qytetin e Tiranës në vitin 1957 me siglën “Festivali Kombëtar i këngës, muzikës dhe valles”. Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968. Pas këtij festivali, në Kalanë e këtij qyteti është zhvilluar rregullisht, çdo pesë vjet, Festivali Folklorik Kombëtar, respektivisht në vitet 1973, 1978, 1983, 1988. Në vitin 1995 FFK u zhvillua në Kalanë e qytetit të Beratit dhe në vitin 2000 FFK rikthehet në qytetin muze të Gjirokastrës. Edhe në vitet 2004 dhe 2009 FFK u zhvillua në qytetin muze të Gjirokastrës, ku morrën pjesë gjithsej rreth 1200 artistë përfaqësues të të gjitha qarqeve, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe nga Diaspora.
Disa nga çmimet e festivalit:
Këngëtari më i mirë – Egzona Salaj (Mali I Zi )
Orkestrina më e mirë e Jugut – Korça
Instrumentisti më i mirë – Zhani Struga (Korçë)
Rapsodi më i mirë – Sul Mustafa ( Shkodër)
Kostumet më të mira – Lezhë
Teksti më i vjetër – Kashar (Tiranë)
Vallja më e mirë – Lunxhëria (Gjirokastër)
Orkestrina më e mirë e Veriut – Mati
Valltari më i mirë – Shefki Dekteri (Maqedoni)
Çmimi i tretë – Mali i Zi, Lezhë
Çmimi i dytë – Berat, Korçë
Çmimi i parë – Tirana