Kompania energjetike ukrainase, Naftogaz, ka ndërprerë blerjen e gazit natyror nga gjiganti rus, Gazprom.
“Duke qenë se ka skaduar afati i marrëveshjes së gazit, që përfshinte tremujorin e dytë të vitit 2015, por edhe sepse nuk është nënshkruar një marrëveshje e re, Naftogazi nuk do të importojë gaz natyror nga Rusia që prej datës 1 korrik”, thuhet në deklaratën e kompanisë ukrainase.
Bisedimet për gaz natyror ndërmjet Bashkimit Evropian, Rusisë dhe Ukrainës u mbyllën pa zgjidhje në kryeqytetin Vjenë të Austrisë.
Menjëherë pas dështimit të negociatave, kompania energjetike ukrainase, Naftogaz, ka ndalur importin e gazit natyror nga gjiganti rus, Gazprom, duke nisur nga 1 korriku.
Sakaq, nuk do të ketë ndërprerje të gazit rus, që dërgohet drejt Turqisë dhe vendeve evropiane nëpërmjet territoreve ukrainase.
Gazpromi bëri me dije nga ana e tij se furnizimi i Ukrainës me gaz është ndërprerë për shkak të dështimit të bisedimeve.
Gjiganti energjetik rus njoftoi gjithashtu se cilido qoftë çmimi, parapagimi është mënyra e vetme për të dërguar gaz në Ukrainë.