Organi që drejton futbollin europian ka reaguar dje pas akteve terroriste në Bruksel, duke i kujtuar publikut edhe një herë se është i angazhuar të garantojë siguri gjatë Euro 2016-ës, kampionatit që do të luhet këtë verë në Francë.
“Pas ngjarjeve të sotme në Bruksel, UEFA dëshiron të ripohojë angazhimin e saj në vendosjen e sigurisë në qendër të planeve të organizimit për Euro 2016-ën,” thuhet në një deklaratë.
Deklarata ka sqaruar se UEFA po bashkëpunon ngushtë me autoritetet përkatëse për të patur mekanizmat e duhur për garantimin e një turneu të sigurt, e se po merren të tëra masat, “…do të mbikëqyrim rregullisht nivelin e rrezikut për turneun…”.
Ndërkaq, një prej drejtuesve të UEFA-s, Giancarlo Abete, duke folur mbrëmë për një radiostacion francez, ka lënë të kuptohet se Europiani mund të luhet me dyer të mbyllura, pa praninë e sportdashësve.
“Nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e luajtjes me dyer të mbyllura, siç nuk mund ta përjashtojmë terrorizmin,” ka thënë ai. “Çështjet e sigurisë kanë përparësi për të gjithë ne, ngjarja sportive ka rëndësi të dorës së dytë.”
“Duhet të presim vendimet e atyre që janë të ngarkuar për sigurinë publike. Ka një rrezik të zhvillimit të Euro 2016-ës me dyer të mbyllura, sepse është një aktivitet që duhet zhvilluar. Asnjë ndeshje nuk mund të shtyhet për një datë tjetër.”
Veprimtaria më e madhe futbollistike europiane nis më 10 qershor, për të përfunduar një muaj më pas, por pikëpyetjet për zhvillimin e saj janë bërë më të theksuara pas ngjarjeve të djeshme në Bruksel. /tesheshi.com/