Mensur Krasniqi
Shërbimet për Informim në Parlamentin e Maqedonisë njoftuan se deputeti Talat Xhaferi ka tërhequr nga procedura parlamentare ligjin për ndalimin e posedimit, përpunimit, publikimit dhe dispozicionin e materialeve të cilat dalin nga përgjimet e bisedave telefonike.
Këtij vendimi të deputetit Xhaferi i parapriu një ditë e stërngarkuar politike. Tërheqja e ligjit kontestues për ndalimin e “bombave” ishte tema të cilën mediatori i Komisionit Europian, Piter Vanhoute, e bisedoi dje me koordinatorin e grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi.
Edhe ambasada e SHBA-ve në Shkup e konfirmoi informacionin përmes një kumtese me shkrim: Ligji për “bombat” do të rishqyrtohet.
“Grupi punues për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos arriti mbrëmë përparim për çështjet lidhur me zgjedhjet, dhe ra dakord që sot përsëri të vazhdojë me bisedimet.”
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, e hapi mundësinë për intervenim me amendamente, dhe nuk dëshiroi që të përgjigjej konkretisht nëse ligji do të mbetej në procedurë.
Projektligji për ndalimin e posedimit, përpunimit, publikimit dhe dispozicionin e materialeve që dalin nga përgjimet e bisedave telefonike, i mbështetur edhe nga VMRO – DPMNE-ja, ngjalli debate të ashpra në opinion, madje ndaj tij u protestua dje para Parlamentit edhe nga organizata joqeveritare “Ajde”. /tesheshi.com/