Zhgënjim e revoltim kanë shfaqur zyrtarët turq në reagimin ndaj imazheve të trupave amerikane me shenjat dalluese të YPG-së, Njësive të Mbrojtjes Popullore, në shpatullat e tyre gjatë një operacioni në Rakka kundër ISIS-it.
“Eshtë e papranueshme që një vend aleat të përdorë shenjat dalluese të YPG-së. Ne reaguam ndaj kësaj. Eshtë e pamundur të pranohet. Ky është një standard i dyfishtë dhe hipokrizi,” ka deklaruar ministri i Jashtëm turk gjatë një konference shtypi.
Mevlüt Çavuşoğlu ka sjellë në vëmendje komentet e Obama-s dhe të John Kerry-t mbi YPG-në dhe PYD-në në bisedë me Erdoğan-in, ku kanë deklaruar se këtyre grupeve nuk mund t’u besohet, e se SHBA-të janë në anën e Turqisë në luftën kundër terrorizmit.
“[Por tani] ata po mbajnë shenjën dalluese të një organizate terroriste, që është përgjegjëse për dy sulmet e fundit terroriste në Ankara,” theksoi kryediplomati turk.
Ambasadori turk në Uashington, Serdar Kılıç, shprehu po ashtu të njëjtën pakënaqësi të Turqisë gjatë një vizite në Departamentin e Shtetit.
Përmes dy zyrtarëve, Turqia deklaroi se është e papranueshme që SHBA-të të bashkëpunojnë me PYD-në, Partinë e Unionit Demokratik, një lëvizje e kurdëve të Sirisë, e me krahun e saj të armatosur, YPG-në.
Të mërkurën qarkulluan në media një numër fotografish që paraqisnin trupa amerikane në Rakka me shenja dalluese të YPG-së.
YPG-ja është krahu i armatosur i PYD-së, degës siriane të PKK-së, organizatës terroriste kurde. Turqia i cilëson po ashtu dhe ato si organizata terroriste.
Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, bëri një sqarim të shkurtër gjatë një konference shtypi ditën e djeshme. “Forcat e operacioneve speciale,” tha ai, “kur veprojnë në zona të caktuara, bëjnë ç’të munden për t’u shkrirë me komunitetin që të shtojnë mbrojtjen e tyre, sigurinë e tyre.”
Turqia dhe SHBA-të prej kohësh kanë fërkime në lidhje me qasjen ndaj këtyre organizatave. /tesheshi.com/