Kryeministrat e Turqisë dhe Greqisë dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp në qytetin turk të Izmirit vetëm një ditë pas përfundimit të takimit mes BE-së dhe Turqisë, duke premtuar bashkëpunim dhe koordinim më të madh mes dy vendeve në përpjekjet për t’i dhënë zgjidhje krizës së refugjatëve.
Turqia ka një këndvështrim të përbashkët me Greqinë mbi nevojën për ta ndarë barrën e krizës së refugjatëve, e të dy vendet kanë rënë dakort për një kornizë ligjore për luftimin e emigracionit ilegal, ka bërë të ditur Ahmet Davutogllu.
Cipras do të thoshte nga ana e tij, “Ne kemi vendosur ta intensifikojmë bashkëpunimin tonë dhe të rikonfirmojmë marrëveshjen dypalëshe.”
Kryeministri turk deklaroi se pavarësisht dallimeve në mendime mes Turqisë dhe Greqisë, bashkëpunimi i përmirësuar mund t’i reduktojë në minimum skenat dramatike në Egje.
Sipas Davutogllusë, plani i ofruar nga Turqia për ripranimin e emigrantëve të parregullt që kanë shkelur në tokën greke do ta kthejë Egjeun nga një det dëshpërimi, ku njerëzit humbin jetën, në një det lumturie dhe gëzimi.
Turqia është pikënisja e refugjatëve që përfundojnë në ishujt grekë, dhe lundrimi i tyre nëpër Egje ka qenë shpesh burim tragjedie.
Mes dy vendeve parashikohet dhe një bashkëpunim më i ngushtë në fusha të tjera. Davutogllu njoftoi se dy vendet po planifikojnë një linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë mes Stambollit dhe Selanikut, si dhe linja tragetesh mes Izmirit dhe Selanikut. Nisja e fluturimeve të drejtpërdrejta ajrore mes Ankarasë dhe Athinës qe mes atyre çka lajmëroi kryeministri turk. /tesheshi.com/