I sapozgjedhuri president i SHBA-së ka pritur në Trump Tower kryeministrin japonez, në të parin takim të tij me një udhëheqës të huaj.
“Ndjehem shumë i nderuar të kem takim të nivelit të lartë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, përpara çdo udhëheqësi në botë,” do të thoshte kryeministri i vendit aziatik para se të ngjitej në avionin që do ta çonte në Nju Jork.
Të hapur e në një atmosferë të ngrohtë e përshkroi Shinzo Abe takimin me Trump-in.
“Ishim në gjendje të flisnim hapur në një atmosferë të ngrohtë. Besoj fort se ne mund të ndërtojmë një marrëdhënie tërë besim.”
Por ai nuk dha më tepër hollësi për atë çka u diskutua në takimin që zgjati 90 minuta.
“Nuk do të jap hollësi mbi diskutimet e sotme me presidentin e zgjedhur Trump, meqë ishte një bisedë jozyrtare, por besoj se aleanca jonë nuk do të funksionojë kurrë në të ardhmen pa besim midis dy vendeve.”
Për të shtuar gjithashtu se, “Jam i bindur se Trump është një udhëheqës në të cilin mund të kem shumë besim.” /tesheshi.com/