Sokol Çobo
Urdhëruesi i atentateve me tritol mëngjesin e 10 shkurtit në Tiranë, Vladimir Gjuta, ka arritur t’ia hedhë paq, megjithëse ndaj tij ka pasur dhjetëra procedime penale. Vetëm Gjykata e Tiranës e ka dënuar plot katër herë, ndërsa kuksiani ka pasur dosje të hapura edhe në qytetin e lindjes, apo edhe në Durrës. Ai është dënuar disa herë me burg, por në fund është “rehabilituar” dhe ka vazhduar aktivitetet, si kriminale, ashtu edhe ato financiare. Familja e tij ka në pronësi disa biznese në Rrugën e Elbasanit, ndërsa 35-vjeçari u dyshua për një vrasje në tentativë në Kukës, apo edhe për një shpërthim me tritol në Durrës. Prokuroria e ka hetuar së fundmi për terrorin më 10 shkurt, ku ka prova se ai ka pasur një rol mjaft aktiv. Madje, ai dyshohet se ka qenë edhe personi që ka aktivizuar bombën e vendosur në farmacinë e babait të ministrit Tahiri. Identifikimi erdhi si pasojë e një gabimi të tij me telefonin. Pas shpërthimit, ai hoqi nga telefoni kartën SIM dhe të nesërmen, në këtë aparat, vendosi një numër tjetër. Prokuroria e zbuloi nga IMEI, ndërsa hetuesit e çështjes kanë nisur edhe hulumtimet për të gjetur një motiv për atentatet. Deri më tani janë parë precedentët e Gjutës, ku vetëm në Tiranë “numëron” katër. Ajo që ka çuditur hetuesit është fakti se 35-vjeçari u prezantohej policëve si agjent i SHISH. Gazeta “Shqip” ka siguruar një vendim gjykate, ku detajohet i gjithë debati i Gjutës me një punonjës policie.
Vendimet e gjykatave 2005-2013
Agjenti i SHISH
Në 2011, kur është ndaluar nga policia, Gjuta u tha agjentëve se ishte punonjës i SHISH, nën mbulim, por pa përdorur ndonjë dokument identifikues
Sherri në Kamzë
Në 2005, Gjuta i drejtohet nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës: Përse më lini duke pritur në radhë te gjendja civile?”. Më pas e godet me grusht këtë zyrtar
Rrahu policët
Në 2012, goditi policin E.Zh. me shqelm në bark, e kapi nga uniforma duke ia grisur atë, ka goditur dhe shtyrë punonjësin e policisë E.Sh. Në fund kërkoi ndjesë!
Viti 2005
Precedenti i parë penal i Vladimir Gjutës ka ndodhur më datë 15 gusht 2005, rreth orës 13:30. Ai ka shkuar në zyrën e zv/kryetarit të Bashkisë Kamzë, Zef Shtjefni. Në atë kohë godina ka qenë në rikonstruksion dhe zyrat e saj ishin zhvendosur në ambientet e shkollës 9-vjeçare, Kamzë, Shtjefni punonte në një zyrë me kryetarin e këshillit, M.Shehu dhe sekretaren L.Kodra. Pasi ka hyrë brenda i pandehuri i është drejtuar Shtjefnit duke i thënë: Përse më lini duke pritur në radhë te dera e gjendjes civile?”. Zefi i është përgjigjur se nuk është detyra e tij të mbajë radhën e njerëzve. Menjëherë pas kësaj përgjigjeje, Gjuta e ka goditur me grusht, në anën e majtë të fytyrës, afër syrit. Në këtë moment ka ndërhyrë punonjësi i Policisë Bashkiake, dhe ai është larguar duke përdorur edhe fjalë fyese. Në gjykatë, Gjuta është shfaqur i penduar, ndërsa vetë Shtjefni ka bërë deklaratë noteriale për normalizimin e marrëdhënies me të pandehurin. Në fund të gjykimit, ai u dënua me një gjobë prej 1 milion lekësh të vjetra.
Viti 2008
Precedenti penal i radhës (i dokumentuar) ka ndodhur në vitin 2008. Në tetor të atij viti, policia ka kontrolluar automjetin “Benz” me targë të huaj G 12 CLS, pasi dyshohej se ishte i vjedhur. Nga dokumentet rezultoi se kishte dy vërtetime hyrjeje të së njëjtës datë, lëshuar në emër të Vladimir Gjutës, por për targa të ndryshme. Vladimir Gjuta ka sqaruar se ai ka qenë rezident i rregullt në Angli dhe se në janar të vitit 2008 e ka blerë automjetin kundrejt vlerës 56 mijë sterlina. Automjeti ka pasur targën SN 56 KTT. Në muajin shkurt të vitit 2008 i pandehuri ka porositur në Angli targën e dëshiruar duke paguar edhe detyrimet përkatëse. Për shkak të problemeve, ku vërtetimi i hyrjes ishte për mjetin me targë SN 56 KTT, ndërkohë që targa e tij tashmë kishte ndryshuar në G 12 CLS, ai ka shkuar në Durrës, ku nga persona të panjohur është pajisur me një vërtetim hyrje nr.1052666 për targën e re. Edhe në këtë proces, Gjuta pranoi fajësinë dhe tregoi pendim të thellë. Madje avokati deklaroi në atë kohë se Gjuta po bën përpjekje për rritjen e nivelit të tij, pasi është futur në një kurs për mësimin cilësor të gjuhës angleze, si dhe është punësuar. Gjykata e dënoi me 4 muaj burg, por ia pezulloi me kusht.
Viti 2011
Në këtë vit, Gjuta është kapur me armë. Sipas vendimit të gjykatës, rezultoi se ai menaxhon një lokal në qytetin e Tiranës. Më datë 27.10.2011, rreth orës 21:00, ai ka qenë në lokalin që menaxhon në Rrugën e Elbasanit dhe rreth orës 23.00, së bashku me kushëririn e tij Baftjar Bruka, kanë qenë duke lëvizur nga lokali i tyre me një motor njëvendësh të tipit “Skuter”. Lëvizjet e tyre janë vënë re nga autopatrulla e Policisë së shtetit në shërbim në atë aks. Për shkak të dyshimeve që kishin, punonjësit e policisë, me makinën e tyre të shërbimit me targa “Policia 2207” kanë ndjekur motorin ku ndodhej i pandehuri dhe e kanë ndaluar. “Sapo janë ndaluar nga policia, i pandehuri ka reaguar duke deklaruar se ‘ishte punonjës i SHISH, nën mbulim’, por pa përdorur ndonjë dokument identifikues. Punonjësit e policisë kanë ushtruar kontroll fizik gjatë të cilit të pandehurit i është gjetur një armë zjarri tip pistoletë “TT”, një dorezë, një kapele dhe paruke, ndërsa shtetasit Baftjar Bruka i është gjetur një thikë, e cila më pas ka rezultuar se nuk i plotësonte kushtet teknike të armëve të ftohta”, thuhet në vendim. Edhe në këtë rast, Gjuta ka mbajtur një qëndrim pohues dhe pendues, duke pretenduar se mbante pistoletë për shkak se lëvizte me shuma të mëdha parash. Ai u dënua me 6 muaj burg.
Viti 2012
Më datë 18 shkurt 2012 rreth orës 00:20, patrulla e policisë, ka marrë njoftim nga Salla Operative se një automjet me targa angleze G12CLS, me xhama të veshur i është larguar postbllokut të policisë në afërsi të stadiumit “Dinamo”. Pasi kanë identifikuar mjetin e mësipërm, i cili kishte ndaluar në rrugën “Sami Frashëri” para një lokali, punonjësit e policisë janë prezantuar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit të pandehurit Vladimir Gjuta, që dilte nga makina për kontroll dhe verifikimin e dokumentacionit të mjetit. Gjuta ka reaguar dhunshëm, fillimisht me fjalë dhe sharje dhe më pas me veprime aktive dhune. Ai ka goditur punonjësin e policisë E.Zh. me shqelm në bark, e ka kapur nga uniforma duke e grisur atë, ka goditur dhe shtyrë punonjësin e policisë E.Sh., si edhe ka bërë rezistencë për shoqërimin e tij. Gjatë kontrollit iu gjetën dy qese lëndë narkotike kokainë, për të cilat organi i prokurorisë nuk ka paraqitur kërkesë për gjykim duke i vlerësuar si sasi për përdorim vetjak. Në gjykatë mbajti qëndrim pohues dhe ka pretenduar se natën e ngjarjes nuk ka qenë në gjendje të mirë dhe nuk i mbante mend mirë veprimet e tij. Gjykata e dënoi me 8 muaj burg. s.ç
Historitë
Përplasjet e Gjutës me policinë në vitin 2014
Në muajin prill të vitit 2014, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ankohet pranë Presidentit për ndryshimin e masës së sigurisë për Vladimir Gjutën dhe nipin e tij, Baftjar Brukën. Në atë kohë, ata kanë qenë të dyshuar për tentativë vrasjeje së disa personave në Kukës. Përplasja e radhës me policinë mësohet se ka ndodhur në qershor të 2014-s, pas vrasjes së Artan Santos. Pronarët e lokalit “Vila Gjuta” në Tiranë kanë refuzuar t’i japin policisë kamerat e sigurisë për të identifikuar autorët e vrasjes. Në shtator të 2014-s, ndaluan dhe arrestuan tre persona. Një prej tyre ishte Vladimir Gjuta, që më pas u lirua. Më datë 6 dhjetor, në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, Vladimir Gjuta u arrestua pas një sherri me efektivët e policisë rrugore. Ai kundërshtoi forcat e rendit dhe u arrestua pak metra më tej. Për këtë incident, ai u mbajt në qeli për rreth 20 ditë, ku u lirua nga Gjykata e Tiranës me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Marrë nga “Shqip”