Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2024 rezulton pozitive, duke regjistruar 255 lindje më shumë se sa vdekje, raporton ATSH.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikës (INSTAT) tregojnë se numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2024 ishte 5 269, duke shënuar një rënie me 3.4 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.
Ndërsa numri i vdekjeve ishte 5 014, duke shënuar një rritje prej 1.3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.
Katër qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.
Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 741 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 187 vdekje më shumë se sa lindje.