Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur i vendosur për lirimin e të gjitha hapësirave publike në qytet. I pyetur lidhur me protestën e tregtarëve të vegjël, që prej disa ditësh me radhë protestojnë para bashkisë për të kundërshtuar 10-fishimin e taksës për vendin e zënë prej tyre, kryesisht bar-kafeve, Veliaj tha se taksa e bashkisë për këto ambiente është 500 lekë të vjetra për metër katror ose për një tavolinë, në momentin kur këto janë në një hapësirë publike si trotuar.
Është e turpshme, sipas kryebashkiakut, që vajzat të kalojnë mes për mes tavolinave të lokaleve të cilët kanë zaptuar çdo trotuar e të dëgjojnë lloj-lloj fjalësh pas tyre.
Nga ana tjetër sot tregtarët dhe pronarët e biznesit të vogël në kryeqytet kanë dalë në protestë para Bashkisë së Tiranës ndërsa shprehen se janë kundër rritjes së taksave.
Ata fillimisht qëndruan të ulur në shenjë proteste para ambienteve të bashkisë e më pas nisën të shprehin ankesat e tyre kundër taksave të rritura. Protestuesit i kërkojnë kryebashkiakut, Erion Veliaj, që të ulë taksat dhe të mos mbysë biznesin. /tesheshi.com/