Njeriu i parë që do t’i nënshtrohet një transplanti të kokës ka deklaruar se e konsideron këtë një aventurë shumë të frikshme, por gjithsesi interesante. Ai është Valery Spiridinov dhe ka shprehur dëshirën që të jetë i pari në histori që do të bëjë një ndërhyrje të tillë. Ky transplant do të kryhet nga një mjek italian, Sergio Canavero, i cili ka plane dhe parashikime shumë optimiste, por që shihet nga mjekët e tjerë dhe komuniteti shkencor me shumë skepticizëm.
Por Spiridonov, që ka një sëmundje shumë të rrallë gjenetike me ermin Werding-Hoffman, e cila gradualisht i degjeneron muskujt, thotë se është i gatshëm që t’i nënshtrohet këtij eksperimenti për herë të parë edhe pse bëhet fjalë për një procedurë shumë të rrezikshme. Këtë e bën për t’i dhënë vetes shansin e të jetuarit, më në fund, në një trup të shëndetshëm.
“A kam frikë?, sigurisht që kam. Por në fakt nuk bëhet fjalë për diçka shumë të frikshme, por edhe shumë interesante”, ka deklaruar ai para gazetarëve nga shtëpia e tij në qytetin, Vladimir në Rusi. “Por duhet të kuptoni se e kam marrë një vendim të tillë, pasi nuk kam shumë zgjedhje. Nëse nuk e provoj këtë shans, atëherë fati im do të jetë i trishtë. Çdo ditë që kalon e përkeqëson gjendjen time fizike”.
Spiridonov deklaroi se ka folur me kirurgun me Skype, por ende nuk janë takuar. Rusi është zgjedhur mes disa kandidatëve të mundshëm për këtë ndërhyrje krejt të re. Kirurgu, Canavaro, ngjalli shumë debate, mosbesime dhe diskutime kur deklaroi se ishte i aftë dhe i gatshëm që të kryente transplantin e parë të kokës, brenda dy vitesh.
Një pjesë e madhe e ekspertëve të fushës e quajnë këtë krejtësisht të pamundur nga ana shkencore dhe, nëse i dilet mbanë do të përbëjë shumë probleme me etikën, sepse njerëz të ndryshëm mund të duan ta bëjnë një transplant të tillë edhe thjesht për të ndryshuar trup. Dhe në këtë rast ata e kanë krahasuar kirurgun me Frankeshtajnin.
Transplanti i kokës ka të bëjë me marrjen e kokës së një personi dhe transplantimin e saj në një trup tjetër që ka pasur probleme me kokën, por që ka një trup të shëndetshëm. Kjo procedurë është kryer njëherë te majmunët në vitin 1970, por në këtë rast nuk u transplantua shtylla kurrizore dhe majmuni nuk arriti që të lëvizë. Ndërkohë nuk është eksperimentuar kurrë te njerëzit.
Përgatiti: Dori Daka – /tesheshi.com/