Kalimi i Manolo Gabbiadini-t, ish-sulmuesit tashmë të Napolit, te Sauthemptoni në kampionatin anglez është një prej transferimeve më të zëshme të janarit.
Katër vite e gjysmë kontratë për 25-vjeçarin, që shprehet i kënaqur për përvojën e re.
“Një nga ëndrrat e mia ishte të luaja në një prej ligave më të mëdha në botë, kështu që tani që ajo po përmbushet, mezi pres të nis të luaj.”
Një tjetër transferim në Premier League i minutave të fundit të ditës së djeshme është ai i mbrojtësit Mamadou Sakho. Francezi la Liverpulin, për t’u huazuar në pjesën e mbetur të sezonit te Kristëll Pallasi.
Andrea Ranocchia është huazuar po ashtu nga Interi i Milanos te Hall Siti. Mbrojtësi italian nuk luante prej kohësh, me ndërrimin e skuadrës të bërë detyrim për të.
Napoli ka lënë të lirë dhe një tjetër futbollist, marokenin El Kaddouri, që do të luajë për Empolin gjer në qershorin e vitit 2021.
Portieri italian Sirigu është huazuar prej PSG-së nga Osasuna gjer në fund të këtij sezoni.
Lucas Silva është kthyer edhe njëherë te Kruzeiro, i huazuar nga Reali i Madridit.
Hamit Altıntop, një emër i njohur i futbollit europian pak vite më parë, ka lënë Gallatasarajin dhe është rikthyer në Gjermani, ku do të luajë deri në verë te Darmstadti.
Në Superligën turke, një ndër transferimet më të bujshme është ribashkimi i senegalezit Demba Ba me Beshiktashin.
Jese Rodriguez, një zhgënjim te PSG-ja në Francë, do të luajë rishtas në Spanjë, por këtë herë me Las Palmasin.
Këto ishin vetëm disa nga transferimet më të fundit në futbollin europian në mbyllje të hapësirës së janarit për shitblerje e huazime lojtarësh. /tesheshi.com/