Sa herë ngjallet njëfarë shprese a optimizmi në PD për heqjen e “non grata”-s amerikane për Berishën, vjen përgjigja e thiktë nga Uashingtoni që e përshkron tejpërtej euforinë politike të atyshme. Kështu ka ndodhur e kështu vijon të ndodhë. Ndaj, orët e fundit, një tjetër “thikë amerikane” ka goditur bindjen e verbër në kampin e Berishës se njolla do hiqet, sidomos me riardhjen e Trump-it, edhe pse gjatë katër viteve të qeverisjes së këtij të fundit nuk ndodhi ndonjë mrekulli për PD-në, siç pritej prej demokratëve të lodhur shqiptarë nga opozita e gjatë.
Në një reagim të fundit amerikan, pra nga përfaqësia e Uashingtonit në Tiranë, përçohet qartazi mesazhi se SHBA respekton opozitën si institucion politik, por aspak Berishën.
“Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë. I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë.
Nxis të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë.
Ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor”, lexohet në shkrimin e të Ngarkuarës me Punë, Nancy VanHorn, të postuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë. /tesheshi.com/