Ambasadorja amerikane Yuri Kim, e shndërruar në personazh kryesore të zhvllimeve shqiptare, lëshoi një tjetër “klithmë” për Reformë në Drejtësi.
“Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara”, tha ajo në një konference të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për monitorimin e punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe gjyqësorit (KLGJ) përgjatë një viti.
“E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë”, theksoi Kim.
Ajo përcolli një formulim dhe më të ndjeshëm, kur tha se “fëmijët, brezi i ardhshëm, e kanë mendjen te ju”.
“Askush nuk mendon që është gjë e lehtë, e di që ka një kosto vetjake dhe profesionale, por është një kosto që ja vlen, se është në të mirë të shtetit shqiptar. Nëse ju nuk jeni të guximshëm, të paguani kostot, apo nëse të gjithë ne nuk i paguajmë kostot, do t’i paguajnë brezat e ardhshëm”, ishin fjalët e gruas që përfaqëson SHBA në Shqipëri. /tesheshi.com/