Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

THEKSIM/ Tej një shkarkimi: Ilir Meta, ky politikan pa shije!

Shkarkimi i Ilir Metës, ndonëse politik, është njëherësh një përfundim logjik i një karriere kurrë me shkëlqim.

Meta nuk është prej atyre me një ngjitje e një zbritje, me një rrezatim diku apo dikur e me hije diku tjetër, nuk është nga ana që kanë inspiruar në një moment e më pas kanë zhgënjyer; ai është thjesht, ç’prej kohës kur u shfaq në politikë, një prej atyre paradokseve që Shqipëria prodhon pa fund.

Pas 30 vitesh protagonizëm, që me gjasë do vijojë ta ketë, në Presidencë ose jo, Meta është ndër ata që kanë lënë shumëçka pa lënë asgjë. Shumëçka në kuptimin e krizave, përplasjeve dhe në fund marrëzive deklarative e gjestikulative, e asgjë në aspektin etik, kulturor, fisnikëror. Në këtë të dytën, ka një boshësi ulëritëse. Mundet që një karrierë politike të mos ketë patjetër shkëlqim apo sukses, për arsye objektive apo subjektive, por kur je një figurë publike, je i imponuar së brendshmi, apo dhe i dënuar, për të lënë së paku një shije etike, më gjeste apo ligjërim. Dhe te Ilir Meta, të cilit nuk i njihet as aftësia frymëzuese si atribut, që një politikan i lartë duhet ta ketë, nuk i njihet gjithashtu as shija kulturore.

I afrohen në këtë pikë ata të cilët i pati aleatë në tre vite dalje binarësh, jo kushtetuese më tepër se sa etikë, me një ligjërim për t’u shkarkuar si dalë mendsh e jo si shkelës Kushtetute: Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Eshtë një treshe për të cilën mbetet një e pathënë trishtuese në thelbin e ceneve të tyre: pos politikisht, as kulturalisht s’të ofrojnë asgjë, nuk të lenë asgjë në kujtesë, nuk të mësojnë asgjë.

Nano e Rama mund të jenë po aq të diskutueshëm sa ata në një pikëpamje politike, por kulturalisht kanë patur e vijojnë të kenë një shije, një hendek të thellë me ta. Të mirëartikluar në çdo kohë, kanë dhe një dimension tejpolitik, njerëzor, qytetar, që josh, tërheq, lë gjurmë.

Ndaj, nëse ekziston ndokush te i cili Meta ka lënë një shije, një mbresë, dhe që tej profilit apo gjuhës politike, sigurisht nga më e rëndomta, pa fije finese e klasi, sot e në çdo kohë, e ka joshur diç njerëzore apo kulturore, do ishte vërtet prej gjërave të habitshme të kësaj bote. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts