Hashim Thaçit i ikin sërish votat nga partia e tij. Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, është shprehur sërish kundër themelimit të Gjykatës Speciale, e cila dënon krimet e luftës të supozuara nga UÇK-ja.
Ai gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, ka prezantuar disa fotografi të të vrarëve në masakrat e ndryshme nëpër Kosovë. Ai ka thënë se autorët e këtyre krimeve Gjykata Speciale nuk do t’i dënojë.
Hasani ka shtuar se Gjykata Speciale nuk do t’i dënojë krimet e kryera në Krushë të Madhe dhe të Vogël, në Abri e anekënd Kosovës.
Kjo Gjykatë, sipas Hasanit, është selektive, etnike dhe raciste. Këso gjykatash, sipas tij, ka vetëm në Afrikë dhe Kili, ku të bardhët kanë të drejta ndaj të zinjve.
Hasani ka thënë se Gjykata Speciale është kundër UÇK-së për t’i amnistuar krimet e Serbisë. “Kjo Gjykatë nuk e dënon asnjë serb që ka kryer krime në Kosovë. Kjo gjykatë krijohet kundër Kosovës edhe për ta shfajësuar gjenocidin e Serbisë të bërë në Kosovë”, është shprehur deputeti Nait Hasani./tesheshi.com/