Kosova nuk synon ndryshimin e kufijve, ka deklaruar zv/kryeministri e ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi, duke theksuar integrimin e shqiptarëve brenda një Evrope pa kufij, sipas raportimeve të medias gjatë vizitës në Slloveni.
“Kosova është shtet i pavarur dhe nuk synon ndryshimin e kufijve. Po punojmë që të shkojmë drejt një perspektive evropiane. Të gjitha së bashku, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia duhet të integrohemi në familjen evropiane. Askush nuk duhet të trembet nga hapja e kufijve në rajon. Hapja e kufijve do të thotë evropianizim”, citohet të ketë thënë Thaçi, sipas raportimit mbrëmë të RTK, duke iu referuar televizionit 24UR.
Raportohet se, gazeta e përditshme qendrore në Slloveni, Dello e Lublanës, në numrin e saj revial dje ka botuar një intervistë të gjatë në tre faqe të saj me zv/kryeministrin Thaçi, me titullin “Qytetarët e Kosovës ëndërrojnë një Evropë të Bashkuar”.
Në intervistë zv/kryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm kosovar ka folur edhe për raportet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
I pyetur se cila ishte porosia ndaj komunitetit ndërkombëtare nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë në takimin e përbashkët zëvendëskryeministri Thaçi rikonfirmoi se porosia ishte paqësore dhe në frymë të integrimeve evropiane. Ai tha se edhe lidershipi i të dy shteteve e dinë se integrimi i shqiptarëve do të bëhet vetëm në kontekst të një Evrope pa kufij dhe përmes anëtarësimit të dy vendeve në BE.
Thaçi tha se takimet pozitive të Kosovës me shtetet fqinje të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë me një takim mes qeverive të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë duke nënvizuar se këso lloj takimesh me fqinj ndihmojnë stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.