Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se pas votimit të Gjykatës Speciale ka marrë telefonata nga miqtë ndërkombëtarë. I pari që e ka përgëzuar ka qenë Hoyt Brian Yee, Zëvendës Asistent Sekretari i Shtetit në SHBA.
“Yee më përgëzoi për punën e gjatë të përbashkët dhe rezultatet e arritura që çimentuan aleancën me Amerikën”, shkruan Thaçi, duke shtuar se urime të tilla ka marrë edhe nga liderë dhe homologë nga Roma, Berlini, Parisi, Londra, Oslo dhe Brukseli.
Këto telefonata numri dy i Qeverisë së Prishtinës nuk ngurron t’i quajë “dëshmi e qartë e partneritetit afatgjatë në mes Kosovës dhe botës demokratike”.
Kuvendi miratoi të hënën e kësaj jave amendamentet kushtetuese që i hapin rrugën themelimit të Gjykatës Speciale, pas dështimit të një votimi të mëparshëm, nga votat kundër të Opozitës dhe vetë deputetëve të partisë së Thaçit. /tesheshi.com/