Një ditë para takimit me presidentin Vuçiç, homologu i tij kosovar Thaçi e ka përshkruar si të vështirë, aq sa ka shfaqur dëshirën për të biseduar me një dreq më mirë se sa me kreun e shtetit serb.
“Pres që do të jetë një takim i vështirë, i rëndë, sepse homolugu im nga Serbia është një bashkëbisedues i vështirë, i komplikuar e ne të njëjtën kohë edhe i ngarkuar. Mund të them se dëshirën më të madhe do të isha ulur me një dreq në tavolinë për të biseduar, sesa më Aleksander Vuçiçin, sepse ai me tërë potencialin e tij, tërë arsenalin shtetëror të Serbisë, po punon për shpërbërjen e Kosovës si shtet, por edhe dëmtimin e institucioneve të Kosovës”, tha Thaçi.
Edhe njëherë ai ftoi spektrin politik kosovar që bashkarisht t’i qasen përballjes me Serbinë në procesin e dialogut.
“Natyrisht që unë do e përballojë, por nuk është e mjaftueshme përballimi i Serbisë, është me rëndësi që i gjithë spektri politik të kyçet në këtë proces, të nxirret sa më shpejt ajo platformë e Kuvendit të Kosovës, të bëhet ekipa e përbashkët e Kosovës, të jemi të gjithë së bashku në tavolinë dhe të fitojmë këtë proces”, theksoi presidenti kosovar. /tesheshi.com/