Një ironi fati me gjasë do çojë që një prej simboleve të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Godina 15 në Qytetin Studenti, të rrafshohet.
Kjo u kumtua nga vetë kryebashkiaku Veliaj në një prej mbledhjeve të Këshillit Bashkiak.
“Kemi marrë tre akt konstatime nga Instituti i Ndërtimit, të cilat dëshmojnë se godinat 15, 18 dhe 19, në Qytetin Studenti janë të dëmtuara përtej ç’mund të riparohet, kanë dëmtime në strukturë.
Janë tre godina të cilat nuk banohen nga studente, tejet të amortizuara, të zaptuara në vitin 1991″, tha Veliaj.
Po çfarë përfaqëson Godina 15? “Atë natë fjeta te godina 15 dhe të nesërmen në mëngjes me Azemin zbritëm poshtë te Gramozi”, rrëfen Arben Imami mbi themelimin e PD-së atë Dhjetor ’90.
Zyrtarisht, selia e parë e PD-së mbahet shtëpia e të ndjerit Gramoz Pashko, por gazetarja e profilit memuaristik Luljeta Progni, autore e librit “Pardesytë e Bardha”, një përmbledhje me intervista të protagonistëve kryesorë të atij Dhjetori dhe themelimit të PD-së, bie dakort që dhe Godina 15 mund të cilësohet si seli e parë e demokratëve. Sipas tij, fara u partisë së re anti-komuniste, u hodh pikërisht aty.
Po pse aty? Godina 15 nuk ishte si gjithë të tjerat. Aty qenë akomoduar përgjithësisht studentë që u kishte dalë e drejta e studimit me vonesë, për shkak të njollave në biografi. E kjo, pasi pati një tolerim ndaj tyre në fund të viteve ’90. Tjetra: ishte pikërisht kjo godinë ku më së shumti fikeshin dritat, e ku së më shumti viheshin në prizë furnelat për ngrohje. Siç dihet, piskamat e para rebeluese te Qytetit Studenti kanë patur shkaqe sociale – mungesë dritash e ngrohjeje – për të gjeneruar më pas në klithmina politike, të tipit “Liri-Demokraci”.
Te 15-ta, siç kujtojnë ish-studentë të atyshëm, kryheshin herëpas’here kontrolle nga drejtoria për posedimin e furnelave për ngrohje, pasi konsideroheshin dhe si shkak i rënies së automatit nga mbingarkesa. E pos kësaj, aty janë nuhatur dhe zërat e parë të një shpërthimi anti-komunist.
E sot, po në dhjetor, në ditët kur përkujtohet Dhjetori ’90, Godinën 15 e pret shembja. Nga dëmtimet e tërmetit. E duhet ditur se nuk po shembet një godinë por një simbol; pse jo, selia e parë e PD-së. /tesheshi.com/