Pas akuzave të Doshit, Kryeministri Edi Ramën ka takuar Kreun e Kuvendit Ilir Meta, Kryeprokurorin e Republikës Adriatik Llala dhe Ministri e Brendshëm Sajmir Tahiri për të koordinuar punët në hetimin e pretendimit të deputetit tashmë të përjashtuar nga PS.
Kryeministri Rama, pas takimit me Llallën, Metën dhe Tahirin ka reaguar me një status në Facebook ku ka thënë se për akzuat e Tom Doshit do të ketë hetim të plotë. Por Rama, ka reaguar duke e ciësuar një telenovelë. Kryeprokurori ka nisur hetimet kryesisht ndërsa më në fund ka folur edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta, i cili i ka cilësuar gjithë këto akuza si të paqena.
Hetimi
Pas deklaratës të një dite më parë se kryeparlamentari Ilir Meta ka paguar për të vrarë deputetin Doshi, Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimet kryesisht duke i bërë thirrje Tom Doshit të paraqitet pranë organit të Akuzës dhe të vë në dispozicion provat që ai disponon në lidhje me këtë rast, siç është dhe video-regjistrimi i pretenduar nga deputeti prej 37 minutash, ku faktohet sipas tij ndjekja nga atentatorët dhe dëshmia e personit që ish paguar për vrasjen.
Në një deklaratë për mediat zyra e shtypit e kryeprokurorit thotë se: Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka urdhëruar Prokurorinë për Krime të Rënda të nisë hetimin kryesisht mbi deklarimet e z. Tom Doshi, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili është shprehur publikisht ditën e Hënë (dt. 02.03.2015), se ka pasur një tentativë për vrasje ndaj tij dhe një tjetër deputeti, disa muaj më parë. Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria, krahas veprimeve të tjera procedurale, fton deputetin Tom Doshi që të paraqesë shpjegimet e tij, si edhe provat që ai disponon në lidhje me këtë rast.
Një ditë më parë deputetit Doshi deklaroi se prokuroria ishte në dijeni të kërcënimit prej 5 muajsh, por vetëm pas deklaratës publike të djeshme nisën hetimet pa pasur një shpjegim se pse organi i Akuzës nuk i ka hetuar para 5 muajve ose nëse i ka nisur çfarë ka rezultuar nga hetimet.
Sot kryeprokurori Llalla ishte i pranishëm në një takim me kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dhe deputetit e LSI Spartak Braho njëherazi kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare. i pyetur nga A1Report z.Braho nuk ka dhënë shpjegime për takimin e mbajtur në kryeministri i cili zgjati për afro 35 minuta, ndërsa një ditë më parë do të deklaronte se Doshi kish vënë në dijeni kryetarin e Parlamentit se Agim Rama, kunati i ish-kryeministrit Berisha kish paguar 500 mijë euro për të vrarë deputetin e Shkodrës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se pas nisjes së hetimeve në pyetje do të merren të gjithë personat që tashmë janë përmendur në media se dijeni për kërcënimin, përfshi dhe kunatin e ish-kryeministrit Berisha, Agim Rama.
Sipas të njëjtave burime në regjistrimin penal deri më tani provë është deklarata publike e Doshit dhe konferenca për shtyp e deputetit Braho, ku sipas deklaratës personi që ka tentuar të vrasë Doshin është Agim Rama, kunati i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ish-deputeti socialist i Shkodres Tom Doshi u perjashtua dje me vendim unanim te grupit parlamentar te PS, pas luftes se hapur qe i shpalli kryeministrit Edi Rama, dhe kercenimeve se nese do te fliste do te tundeshin themelet e mazhorances.
Takimi Rama-Llalla-Tahiri-Braho
Pas deklaratave të forta që deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi bëri duke akuzuar kryeparlamentarin Ilir Meta se ka paguar për një atentat ndaj tij, kryeprokurori Llalla, ministri Tahiri dhe kreu i komisionit të Sigurisë Spartak Braho u takuan këtë mëngjes me kryeministrin Edi Rama. Takimi i cili zgjati gjysmë orë ishte thirrur në mënyrë urgjente nga kreu i qeverisë Edi Rama në ambientet e kryeministrisë.
Nuk dihet ende se cfarë është diskutuar mes tyre, por ajo që A1 Report mëson me siguri është se në qendër të takimit kanë qenë deklaratat e forta që Doshi dha dje pas vendimit të grupit socialist për ta përjashtuar. Ai tha se Ilir Meta ka paguar një vrasës për ekzekutimin e tij. Por shkoi edhe më tej me akuzat kur tha se i paguari për vrasjen e tij është takuar në zyrë me ministrin Tahiri dhe i ka rrëfyer porositësin.
Deklarata e djeshme që Braho dha pas akuzave të Doshit, konfirmoi se ka pasur një atentat të mundshëm ndaj deputetit Tom Doshi, por sipas tij, Doshi ka deklaruar se ka dashur ta vrasë kunati i ish-kryeministrit Berisha, Agim Rama.
Po sipas deklaratës së Doshit, në dijeni për atentatin e mundshëm edhe vetë kreun e Kuvendit Ilir Meta, kryeministrin Rama, ministrin Tahiri, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi, Kryeprokurorin Llalla, madje edhe Senatin Amerikan.
Rama
“Jam i bindur se telenovela e shemtuar qe ka nisur dje, duke bere bashke per te sulmuar qeverine dhe shumicen parlamentare, nje tufe politikejsh e kriminelesh qe duan te perfitojne prej driteshkurtesise se njeri – tjetrit, do te kete padyshim nje fund te palumtur per ta. Le te presim me durim hetimin e plote te akuzes bombastike. E cila eshte padyshim e shpifur sa s’ka, por edhe shume e mireseardhur! Sepse ka çelur nje faze te re te betejes per çlirimin e opinionit publik nga makthi i vjeter se politikanet jane te gjithe njesoj. Njesoj ne fakt jane vetem ata qe nuk dine ku eshte kufiri mes politikes dhe krimit”, shkruan Rama në Facebook. Kryeministri më tej i përgjigjet edhe Partisë Demokratike, e cila sipas tij të vetmen mënyrë mbijetese ka shpifjet. Por sipas Ramës të vërtetën do ta thotë drejtësia dhe një hetim i plotë, që mesa duket ka nisur, pas akuzave të djeshme të Doshit. “Mediat duan sa me shume akuza per te jetuar. PD sa me shume shpifje per te mbijetuar. Ndersa njerezit e ndershem te ketij vendi te mbajtur kaq vjet peng ne gjithe llumin e akuzave dhe shpifjeve te kthyera rendom ne telenovela, duan vetem te verteten. Dhe te verteten qe ata duan sot, mund ta thote vetem nje hetim i plote i organeve te drejtesise. #VajmedetPD ku je katandisur se te tjeret aq dine aq bejne! Çfare tufe…”
Meta
Çfarë komenti keni lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi?
Meta: Cilat akuza? Për ato para një jave apo të djeshme? Nuk jam habitur aspak nga akuzat e djeshmet Doshit pas përjashtimit të tij nga PS. Veprim që e përshëndes plotësisht, për arsye, se është një veprim mjaft i qartë për të ndarë politikën nga shantazhi dhe për ti dhënë fund praktikave mbi personin e qeverisjes së vendit.
Gazetarët: Po për akuzat e djeshme se ju keni porositur një person për të vrarë deputetin Tom Doshi?
Meta: Merreni me qetësi këtë gjë. Lidhur me versionin e djeshëm, nuk habitëm për të, pas vendimit të grupit të PS për përjashtimin e tij. Unë pjesën serioze e kam konsumuar prej muajsh, pra shqetësimin e deputetit në fjalë sipas versioni të parë, i bërë i ditur prej tij, jo vetëm për mua por edhe për persona të tjerë me përgjegjësi institucionale, se ndaj tij po përgatitej një atentat ku porositësi dhe paguesi kryesor ishte kunati i ish-Kryeministrit Berisha, zoti Agim Rama, gjithmonë sipas versionit të tij të atëhershëm, i cili do të paguante 500 mijë euro për eliminimin e tij dhe të deputetit Mëhill Fufi, me qëllim destabilizimin politik të vendit, duke krijuar alibinë se në këtë çështje i përfshirë Kreu i Kuvendit Ilir Meta. Që në atë kohë unë jam takuar me Ministrin e Brendshëm, me Prokurorin e Përgjithshëm, takime këto edhe në prani të Kreut të Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, i cili dje bëri një deklaratë. Dhe kam kërkuar marrjen e masave për zbardhjen e kësaj historie dhe vendosjen e personave të dyshuar para përgjegjësisë. Në dijeninë time, deri dje i vetmi person që ka penguar zbardhjen e kësaj çështje rezulton deputeti Doshi. Nuk mund të flas në emër të Prokurorisë apo policisë. Veprimet e mia kanë qenë të përgjegjshmë, në përputhje me ligjin, dhe është e drejta e deputetit në fjalë të ndërrojë versionet e atentatit ndaj tij çdo 6 muaj.
Gazetarët: Akuzat direkte ndaj jush janë për shkak se Rama e përjashtoi nga PS. Ai ishte vendimi i Ramës përse duhet të ju akuzonte ju?
Meta: Nuk e di kush është interesi i tij, di variantin që dinë edhe shumë të tjerë dhe janë të gatshëm të dëshmojnë, ndërkohë që deputeti në fjalë është i vetmi pengues i zbardhjes së të vërtetave dhe është i inkurajuar nga ana ime që atëherë dhe aq më shumë sot që t’i ekspozojë gjithçka që ai disponon, pasi në këtë mënyrë do të tregonte seriozitetin e tij në këtë çështje.
Gazetarët: A keni qenë prezentë sot në takimin ndërmjet Kryeministrit Rama, Kryeprokurorit Llalla dhe Ministrit Tahiri?
Meta: Nuk kam ndërmend të merrem me çështje që mund të ju interesojnë ju, nuk jam këtu për këtë gjë, por jam për të ju thënë se pjesën serioze të kësaj çështje e kam konsumuar prej 5-6 muajsh. Kam kërkuar të bëhen hetime, të zbardhet kjo çështje, të merren në mbrojtje deputetët sepse kam qenë realisht i shqetësuar. Nuk mund ta fsheh zhgënijimin tim për entuziazmin dhe për garën e shpërthuyer në radhët e opozitës, ndërmjet kreut real dhe atij formal për të shprehur dashurinë për Doshin. Është e drejtë e tyre të zgjedhin atë si simbol të së vërtetës, të moralit, të luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vetëm se kam një këshillë për kryetarin formal të PD që të jetë i kujdesshëm në deklaratat e tij, sepse zoti Doshi e ka gjithmonë një variant në mendje, sepse i ndërron porositësit çdo 6 muaj. Para 6 muajsh porositës ishte kunati i Berishës, dje dola unë, por kam frikë se porositësi i radhës do të jetë kunati i Bashës.
Gazetarët: Deputeti Doshi thotë se ka provë një video për akuzat e bëra?
Meta: Unë mund të ju them me bindje të plotë se nuk ka asnjë fakt apo dëshmitar, që mund të provojë implikimin e Kreut të Kuvendit në një skenar të tillë, përkundrazi jam i bindur që ekzistojnë shumë dëshmitarë që provojnë versionin e paërë dhe origjinal që porositës ishte kunati i Berishës, me qëllim destabilizimin politik të vendit për llogari të Berishës, duke akuzuar Metën.
Gazetarët: Dje opozita ka kërkuar dorëheqjen tuaj?
Meta: Opozita është e drejtë e saj të kërkojë gjithçka që dëshiron dhe është e drejtë e saj ta mbajë fort zotin Doshin si simbol të së vërtetës, të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nuk shqetësohem aspak me garën ndërmjet doktorit dhe Lulit për të të shprehur dashurinë për zotin Doshi.