Nga Bardha Nergjoni
I vëllai, Feriti: shqiptarët kanë talent por u mungon disiplina
Prej 4 vjetësh, tashmë pranë maternitetit “Koço Glozheni” në Tiranë funksionon një qendër sportive ndryshe nga të tjerat. Fitness&box sport Albania është themeluar nga kampionët e mëdhenj të boksit, vëllezërit Keta dhe ka një qëllim final: të zbulojë e të përgatisë boksierët e ardhshëm shqiptarë. Për ta arritur qëllimin, Ismaili dhe Gjetani kanë vendosur rregulla të forta të cilat në Gjermani i kanë bërë të suksesshëm.
I vogli ndër kampionët, Feriti kujdeset që kjo shkollë sportive t`i realizojë të gjitha qëllimet. Ferit Keta ndjek rrugën e vëllezërve të tij më të mëdhenj dhe e ka treguar tashmë synimin me titullin kampion të Gjermanisë. Në hyrje të shtëpisë së boksit nuk ka se si të mungojë si mirëseardhje shprehja motivuese “pa djersë nuk ka çmim”, dorezat e boksit, çmimet e titujt e dy vëllezërve, ringu, një palestër e mirëpajisur për njerëz që ndjekin ritmin e stërvitjeve të kompletuara.
Gjithçka duket se të fton që të vendosësh objektiva, të zbulosh cilësi tek vetja, vullnetin për të modeluar trupin, shpirtin pse jo dhe cilësi për tu bërë një boksier i ardhshëm.
Për Feritin, është një shkollë sportive e ngjashme me atë që vëllezërit Keta kanë në Gjermani.
Pse kjo shkollë është ndryshe nga të tjerat?
Kur është hapur në fillim, qëllimi i kësaj shkolle ishte për të sjellë një sport të ri në Shqipëri, një kulturë tjetër. M`u desh të vija nga Gjermania dhe të merresha me të gjithë menaxhimin e qendrës. Ishte e vështirë pasi shqiptarët ishin mësuar jo për të bërë sport, por më shumë për të ngritur dy-tri herë një girë dhe duke parë veten në pasqyrë. Më shumë harxhonin kohën për të kaluar kohën dhe jo për të bërë sport me një qëllim final.
Ju vendosët të tjera rregulla apo jo?
Sigurisht. Do të ndiqnim rregullat që kishim në Gjermani. Fillimisht vinin me vonesë, as nuk pyesnin, nuk kërkonin falje, pra nuk kishin rregull e disiplinë. E shihja që e duan kështu. Dhe i thoja Ismailit që shumë e vështirë për të punuar me rregulla aq të forta në Shqipëri. Ai më thoshte që duhet ta merrnim më butë. “Ne nuk kemi hapur një shkollë për të fituar. Po të ishte ashtu hapnim një tjetër në Gjermani, dhe e menaxhonim më mirë”. Qëllimi ishte të sillte atë kulturë sporti që kishte ta transmetonte edhe në Shqipëri. Nëse nuk e sjell këtë kulturë në Shqipëri duket sikur nuk bën asgjë. Edhe shqiptarët duhet të dinë se çfarë është korrektësia, disiplina dhe vazhdimësia për të arritur një qëllim final.
Fillimi ishte i vështirë, por kur e panë që nuk mund të ecte ashtu atëherë filluan të ndryshojnë. Pati të rinj që vendosën të largoheshin, por shumica u përshtat dhe vazhdojnë të jenë edhe sot.
Pas katër vjetësh mund të themi se jeni një shkollë sporti me disiplinë gjermane?
Mendoj se vit pas viti sa i përket disiplinës kemi arritur të afrohemi. Çdo vit bëhet ende më mirë. Gjithashtu kemi thyer edhe disi mentalitetin. Për shembull: në një orë kikboksi në fillim ishte e vështirë të ushtroheshin bashkë djem dhe vajza. Vinim re që vajzat nuk pranonin të ushtroheshin njëkohësisht me djemtë. Sot kemi arritur që në kikboks të ushtrohen të gjithë së bashku. Ky lloj mentaliteti u thye. Po kështu kemi edhe gra pak më në moshë që vijnë e ushtrohen këtu. Janë shembull i përkushtimit dhe angazhimit në sport. E shoh që çdo vit përparon çdo gjë.
Në fakt një ndër qëllimet e kësaj shkolle sporti është edhe zbulimi i talenteve, apo jo?
Shqiptarët përgjithësisht janë talente. Por janë pak “dembelë” sepse i duan gjërat më shpejt se koha që duhet. Ti mund të jesh i mirë por do kohë që të arrihet. Në shkollën në Gjermani ka shumë talente. Janë mësuar me rregullat e disiplinën e kikboksit. Nëse Ismaili e sheh që nuk ke rregull e disiplinë nuk merret më me ty. Ti mund të kesh talent sa të duash por nëse nuk ke rregull atëherë nuk arrin askund. Pika e parë që plotëson dikush që Ismaili e mbështet është disiplina dhe rregulli.
Në hyrje të palestrës janë disa nga çmimet e dy vëllezërve si dhe aktivitetet për nder të tyre. Cili është qëllimi i vendosjes aty?
Këtu janë vetëm disa nga çmimet pasi pjesa e tjetër është në Gjermani. Sigurisht që janë vendosur për t`i motivuar të gjithë ata që vijnë këtu. Nëse ti ke këmbënguljen, durimin, ndjek një shembull atëherë i ke të githa mundësitë për të arritur qëllimin. Ky qëllim do punë, do sakrificë, do djersë e asgjë nuk vjen po nuk derdhe djersë por që në fund rezultetet janë të garantuara.
Ju drejtoni këtë shkollë sporti por në fakt keni të njëjtin qëllim me vëllezërit, të fitoni. Si ka nisur rruga juaj drejt boksit?
Aktualisht jam kampion i Gjermanisë në peshën 82 kg. Kur kam shkuar në fillim tek Ismaili u angazhova në shkollën e tij. Unë e kisha ëndërr të bëhesha boksier. Ismailin e kam ndjekur gjithmonë dhe e kisha idhull. E shihja si shembull me qëllimin që edhe unë do bëhem një ditë si ai. Kur shihja djemtë në Gjermani, aq të talentuar, kisha padurim të bëhesha si ata.
Sa kohë tu desh për rezultatet e para?
6 muaj për të arritur rezultatet e para, ndërkohë që për një muaj stërvitje kam bërë ndeshjen e parë dhe e kam fituar që është me gjithë mend rekord. Ndërkohë titullin e kam fituar me një kundërshtar që kishte disa ndeshje, ndërsa unë nuk kisha asnjë. Ishte një fitore e madhe për mua. Me kohën do tregoj se ku do të arrij. Në të gjitha ndeshjet unë përfaqësoj Shqipërinë. Prezantoj shkollën tonë këtu. Atje nuk është se kam një mbështetje nga shteti gjerman. Nuk kam asnjë detyrim ndaj tyre dhe plus që është kënaqësi të përfaqësosh Shqipërinë.
Si të duken të rinjtë në marrëdhënie me sportin?
Është goxha në avancim por mundësitë janë të pakta që të zhvillohen, të tregojnë talentin e tyre. Është shumë mirë. Shqiptarët janë talente, e kanë treguar që i kapin shumë shpejt gjërat. Thjesht i mungon mundësia. Boksi është një shkollë, për atë do të investosh shumë dhe frutet vijnë ngadalë.
E shoh që njerëzit po angazhohen shumë e më shumë nga viti në vit në sport. Tashmë është në modë, është trend që një njeri duhet të merret me një sport.
Cili është objektivi individual i radhës në boks për ju?
Për momentin jam me titullin kampion e shpresoj shumë shpejt të përfaqësoj Shqipërinë për një titull evropian. Tashmë është vendosur por nuk janë bërë të ditura detajet. Mendoj se do të shkojnë mirë duke ndjekur shembullin e vëllezërve të mi Ismail e Gjetan Keta.
Kampionët, Ismail e Gjetan Keta
Ismail dhe Gjetan Keta kanë lindur në fshatin Koçaj të Bulqizës. Në vitin 1997 Ismail Keta kalon në Gjermani dhe punon fillimisht në një diskotekë në Vilzburg si “security”. Aty bie në sy të personaliteteve të sportit, që e nxisin të ushtrohet në disiplinën e tai e kikboksit. Fillon vrullshëm stërvitjen dhe shumë shpejt bëhet kampion i Gjermanisë, titull që e mban deri në vitin 2022, kur dëmtohet. Në vitin 2001 doli nënkampion bote në këtë disiplinë dhe ky ishte një sukses i madh për të. Në ndeshjen kur doli nënkampion bote nuk kishte në pallat të sportit asnjë shqiptar dhe ai paguan një austriak 100 dollarë që të mbante flamurin shqiptar.
Një gjest ky mjaft domethënës i një të riu që përveç suksesit të tij kërkonte të ndërgjegjësonte sportdashësit për identitetin tij. Në vitin 2004 ndahet përkohësisht nga sporti si pasojë e dëmtimit dhe nis punën si trajner. Me ndihmën e miqve të shumtë gjermanë hap një akademi të tai e kikboksit, ku aktualisht janë të regjistruar më shumë se 300 sportistë nga vende të ndryshme të botës, ndër të cilët shumë shqiptarë. “Deutchland Kick Box” është akademia e Ketës në Munih, ku klientë janë dhe figura të njohura gjermane. Ismail Keta ka reputacion të madh. Falë vullnetit të tij të hekurt dhe një pasioni të jashtëzakonshëm për sportin, por edhe për të përmbushur një ëndërr të tij të hershme për të qenë kampion i botës, pas shtatë vitesh ndërprerje ai i rikthehet dhe një herë ringut. E nis fillimisht me disa ndeshje të rëndësishme në Tajlandë (vendi ku ky sport është shumë masiv). Atje zhvillon tri ndeshje dhe i fiton të tria. Atje pa që kishte energji për të vazhduar dhe në kampionatin gjerman të kikboksit, që njihet dhe si K-1, Ismaili riktheu staturën e tij të një kampioni të vërtetë.
Federata botërore i besoi atij dhe kërkoi një sfidat për titull botëror. Gjatë stërvitjes Keta thyen hundën dhe i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, por kjo nuk e pengoi atë të vazhdonte rrugën të cilën e kishte ëndërr. Sfidanti, hungarezi Jozef Diklaund, mbante kurorën e kampionit të Europës në tre vite rresht, pra ishte shumë i fortë. Por në “Cirkus Arena”, karakteri shqiptar, besimi në vetvete dhe mbështetja e fuqishme e tifozëve kuqezi, bënë që Xhoni Keta (kështu njihet Ismaili në Gjermani), të shpërthente dhe ta shpartallonte kundërshtarin plotësisht në raundin e tretë, duke fituar sfidën me nokaut.
Bashkë me Ismailin është dhe vëllai i tij, Gjetan Keta, një tjetër sportist i talentuar, që në vitin 2007 fitoi turneun ndërkombëtar të tai e kikboksit në Tiranë. Aktualisht Gjetani konkurron në boksin profesionist në peshën e mesme, ku në 11 ndeshje ka 10 fitore (9 prej të cilave me nokaut) dhe një humbje. Ai stërvitet me ish-kampionin e botës Feliks Shtrum në Këln. Përveç Gjetani nga fisi Keta ka dhe shumë djem të tjerë që ushtrohen në sportet e rënda dhe po ndjekin rrugën e suksesit në këtë drejtim.
Akademia e Ketës në Gjermani, refuzohen vetëm serbët
Ismail Keta ka një akademi të përgatitjes së sportistëve dhe me kalimin e viteve ajo bëhet gjithnjë e më e frekuentuar. Në të stërviten njerëz me mosha të ndryshme, kryesisht të rinj, madje nga të gjitha vendet. Turq, kroatë, gjermanë, maqedonas etj, por natyrisht shumica janë shqiptarë. Në akademinë e Ketës refuzohen të stërviten serbët dhe kjo ka lidhje me ndjenjën e lartë nacionaliste të 34-vjeçarit, që flamurin shqiptar e ka simbol të shenjtë. Për shkak të krimeve të bëra nga serbët në Kosovë, sportistët serbë refuzohen në akademinë e Ismail Ketës. /tesheshi.com/