Ministria e Kulturës parashikon që vitin tjetër do të hapet konkursi për projektin ideor të teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.
Sipas planifikimeve të kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, në pjesën e dytë të vitit 2018 do të ndahen mjetet për realizimin e punimeve, shkruan “Koha Ditore”.
Nëse një gjë e tillë ndodh, i bie që 9 vjet pasi është vënë guri themelit të nisë edhe një herë ndërtimi i këtij objekti.
Ndonëse drejtuesit e institucioneve kulturore janë skeptikë se do të nisë ndërtimi i objektit të shumëpritur nga komuniteti i artit, kabineti i ministrit Gashi ka ndarë periudhat kohore për t’u marrë me këtë projekt për të cilin mbi një milion euro kanë rënë në ujë deri më tani.
Me planifikimin buxhetor për vitin 2017, për këtë projekt janë paraparë 300 mijë euro. Por asnjë cent nga buxheti i shtetit as këtë vit nuk do të shpenzohet për projektin që prej vitit 2009 figuron vazhdimisht në planifikimet buxhetore të MKRS-së.
Sipas përgjigjeve të kabinetit të ministrit të Kulturës, ky institucion në kuadër të planifikimeve buxhetore për vitin 2018 ka paraparë që të vazhdohet tutje me hartimin e projektit ideor për ndërtimin e këtij teatri.