Shaun Walker kaloi mbi një dekadë duke raportuar nga Moska dhe së fundmi, ka shkruar edhe një libër për periudhën Putin dhe rravgimin për një identitet të ri rus. Ndërsa përgatitet të nisë detyrën e re për “The Guardian” si korrespondent për Europën Qendrore dhe Lindore, ai reflekton në këtë intervistë për vitet e kaluara në Moskë, përballjen me mentalitetin e atjeshëm dhe mësimet e nxjerra për profesionin.
Së pari, përse vendose të bëheshe gazetar?
Unë gjithnjë kam dashur të shkruaj, por mbërrita në gazetari përmes Rusisë, sesa anasjelltas. Kam studiuar histori ruse dhe sovjetike në universitet dhe shkova në Rusi për të mësuar gjuhën pasi mora diplomën. Planifikova të qëndroja atje për një vit dhe përfundova duke qëndruar 14 vjet – së pari punova me një organizatë jo-qeveritare, më pas për një revistë lokale, më pas për “The Indipendent” për gjashtë vjet dhe pastaj për “The Guardian” për katër vjet e gjysmë.
Cila është gjëja më tërheqëse kur je korrespondent?
Larmishmëria e pabesueshme. Nuk je i kufizuar me tema të caktuara dhe ke një rajon të tërë për të mbuluar, kështu që në harkun e një muaji mund të lëvizja nga lajmet për luftën në lindje të Ukrainës, tek politika e lartë e Kremlinit, apo për historitë nga baleti apo kuzhina ruse. Kam takuar presidentë, miliarderë, komandantë lufte dhe kozmonautë ashtu si dhe shumë njerëz “të zakonshëm” që dolën se mbanin histori të jashtëzakonshme. Sigurisht, të ngarkon shumë mendërisht të mbulosh abuzimet me pushtetin, padrejtësinë apo pabarazinë. Por thelbi i detyrës është të mësosh për botën dhe të takosh njerëz që janë interesantë e ndonjëherë të frymëzojnë. Është një privilegj i pabesueshëm – nuk mund të mendoj për ndonjë gjë tjetër që do më pëlqente më shumë.
A mund të na tregosh pak se është realisht të jetosh në Moskë?
Moska është bërë shumë më e jetueshme gjatë kohës që unë kam qenë atje. Ndërsa klima politike bëhej më keq, qyteti bëhej më i mirë, me vende më të këndshme për të ngrënë dhe konsumuar kafe, dhe me një përmirësim urban që do të thotë që u ndërtuan më shumë zona për kalimtarët dhe parqe fantastike. Kishte po ashtu një ndryshim të ngadaltë por të dukshëm në sjellje: Moska po bëhet një vend gjithnjë e më miqësor, që ka gjasa të lidhet me ndryshimin e brezave, mendoj.
A u penguat ndonjëherë për të shkuar diku apo për të mbuluar ndonjë lajm specifik?
Në tërësi, përveçse në zonat kufitare dhe në Arktik, mund të udhëtosh në shumicën e vendeve në Rusi pa problem (edhe pse distancat e mëdha ndonjëherë janë sfidë logjistike). Çështja është zakonisht më shumë për aksesin. Shumë njerëz janë të alarmuar nga ideja e të biseduarit me një gazetar të huaj dhe disa tema janë vërtet të vështira. Historia e plotë për ndërhyrjen elektorale ruse ka qenë e vështirë të mbulohej nga Moska. Ndërsa ka ende njerëz rreth Kremlinit që mund të japin informata të brendshme për politikën lokale, bota e shërbimeve sekrete dhe të sigurisë është tërësisht e mbyllur. Historia e fundit për helmimin e Sergei Skripal, për shembull: nuk ka asgjë që mund të bësh në Moskë përveçse të dëgjosh mohime plot zemërim.
Për cilën histori që keni mbuluar e ndjeni veten më krenar?
Ndoshta, historia më e jashtëzakonshme që kam shkruar gjatë kohës që kalova në Rusi ishte rrëfimi i dy djemve të spiunëve rusë të infiltruar. Fëmijët mendonin se prindërit e tyre ishin kanadezë derisa FBI u trokiti në derë dhe u mësua se ata ishin në fakt, agjentë të KGB-së nga Siberia. Familja u deportua në Rusi dhe dy djemve iu desh të rinisnin jetën në një vend që nuk e kishin vizituar kurrë dhe të përshtateshin me vitet e gënjeshtrave nga prindërit e tyre.
Gjashtë muajt e parë të vitit 2014 kanë qenë periudha më intensive e karrierës sime deri tani – nga revolucioni i Maidanit në Kiev, aneksimi i Krimesë, lufta në lindje të Ukrainës dhe rrëzimi i avionit MH17.
Ishte një histori e lodhshme dhe e trishtuar, por e jashtëzakonshme për të qenë dëshmitar i ngjarjeve të momentit. Me rusët që gënjenin hapur dhe përhapnin informacione të rreme për konfliktin ishte një punë frustuese dhe e lodhshme, por zyrtarët në Kiev dhe diplomatët perëndimorë po ashtu shpesh kishin ide të paqarta për atë që po ndodhte. Kuptova se kishte vërtet shumë pak njerëz që ishin në gjendje të flisnin me të gjitha palët në konflikt: zyrtarët në Moskë dhe në Kiev, luftëtarët separatistë, njerëzit e thjeshtë në të dyja anët e konfliktit.
Cilat janë sfidat me të cilat përballet një korrespondent i huaj?
Një nga gjërat më të vështira të të punuarit në Rusi është se ka kaq shumë njerëz që mendojnë se gazetarët janë të njëanshëm, palë me dikë, dhe se është e pamundur që një gazetar perëndimor madje, të përpiqet të jetë objektiv. Aktualisht, sigurisht, kjo është një çështje me të cilën gazetarët përballen tashmë jo vetëm në Rusi.
Në fakt, shumë nga sfidat që ka një korrespondent i huaj janë të njëjta me ato të të gjithë gazetarëve. Jam menduar shpesh për përgjegjësinë e gazetarëve. Libri im sapo ka dalë dhe promovimi për të ka qenë një përvojë që të mëson. Shpesh, kur janë publikuar intervistat që kam dhënë për librin, kam ndjerë që idetë e mia ishin cituar jashtë kontekstit, ose jam habitur sesi njerëzit përzgjidhnin pjesë të caktuara. Mund të jetë mjaft e pakëndshme të kesh një bisedë të gjatë dhe të printohen dy apo tre citime, që është sigurisht ajo që ne bëjmë me të intervistuarit tanë gjatë gjithë kohës. Të jesh në anën tjetër të intervistës është një kujtesë e mirë sesa shumë të besojnë njerëzit kur ata bien dakord të të tregojnë historitë e tyre.
Tashmë, gazetaria të çon në Budapest. Çfarë prisni me padurim nga detyra e re?
Europa Qendrore dhe Lindore është një rajon tërheqës që duket se ka qenë pak i nënvlerësuar vitet e fundit. Kur pjesa më e madhe e vendeve të bllokut të Varshavës u bashkuan me BE-në, shumë njerëz supozuan se ishte një moment “fundi i historisë”, një moment ribashkimi, paqeje e harmonie në kontinentin demokratik europian. Tashmë, liderët në Hungari, Poloni dhe gjetkë po e sfidojnë konsensusin, Britania e Madhe votoi për t’u larguar nga BE, dhe të gjitha siguritë e një dekade më parë papritur duken të brishta. Po pres të eksploroj më gjerësisht këto histori dhe këtë prirje – refuzimin e liberalizmit, efektet e Brexit dhe rolin që Rusia luan në rajon.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/