Sa vlerësohen aktet e mirësisë dhe solidaritetit njerëzor? Shumë!
Në Kinë, një adoleshent është vlerësuar si “studenti më me zemwr në vend”, pasi për tre vite rresht ka marrë mbi supe një shokun e tij të klasës me probleme fizike. Historia e 18-vjeçarit Xie Xu, që doli vullnetar për t’u kujdesur për shokun e tij të klasës, Zhang Chi, është përhapur në të gjitha rrjetet sociale kineze dhe në media.
Sipas drejtorit të shkollës së të rinjve, shembulli i 18-vjeçarit është frymëzues dhe prekës. Kjo histori i ka prekur të gjithë, sepse të dy të rinjtë nuk janë familjarë; ata janë miq dhe për miqtë sakrificat duhet të jenë të mëdha. Për drejtorin e shkollës, Xie është studenti më i frymëzues i shkollës dhe ka një ndikim shumë pozitiv edhe te studentët e tjerë.
Me ndihmën e tij të përditshme për tre vjet, Zhang nuk ka munguar asnjë ditë në mësim. Fotot e të dy shokëve që kalojnë kohën bashkë në shkollë janë komentuar me shumë mesazhe mbështetëse. Por duket se pas tre vitesh jetët e tyre do te marrin rrugë të ndryshme duke qenë se Xie do të shkojë në universitet. Dhe të gjithë pyesin tani: çfarë do të ndodhë me Zhang kur të mbetet pa mikun e tij më të mirë? Vështirësitë për personat me aftësi të kufizuar në Kinë janë të mëdha, sidomos në zonat rurale të vendit, ku edhe infrastruktura nuk është e mirë.