Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se vendi i tij do të godiste Amerikën në përgjigje të vrasjes së komandantit të shquar të Gardës Revolucionare, gjeneral Qassem Soleimani, duke shtuar se vendi i tij nuk do të ndërhynte në marrëdhëniet e Bagdadit me Uashingtonin.
Ai e bëri kërcënimin të martën, në një takim me kryeministrin e Irakut Mustafa al-Kadhemi, sipas faqes zyrtare të liderit suprem të Iranit.
Khamenei e ka informuar kryeministrin e Irakut, i cili po viziton Teheranin, se vendi i tij nuk do të ndërhyjë në marrëdhëniet midis Bagdadit dhe Uashingtonit, por paralajmëroi se prania e SHBA në kufirin iranian po shkakton pasiguri.
Kadhemi u takua me Khamenei në Teheran të martën, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare jashtë vendit që nga marrja e detyrës në maj.
Khamenei tha se “Irani nuk do të ndërhyjë në marrëdhëniet e Irakut me Amerikën, por se pret që miqtë e Irakut të mbajnë në mend se çfarë është Amerika dhe se prania e saj në çdo vend shkakton korrupsion dhe shkatërrim.”
“Republika Islamike pret që parlamenti (i Irakut) të respektojë vendimin për dëbimin e forcave amerikane, sepse prania e tyre është një shkak i pasigurisë,” tha ai.
Khamenei gjithashtu i referohej vrasjes së Soleimanit gjatë një sulmi ajror nga një dron amerikan pranë aeroportit të Bagdadit në fillim të këtij viti.
Parlamenti irakian kërkoi tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku pas këtij incidenti.
“Ata vranë mysafirin tuaj në shtëpinë tuaj”, tha Khamenei.
Ai shtoi se Irani “kurrë nuk do ta harrojë atë dhe me siguri do të hakmerret me një sulm hakmarrjeje ndaj amerikanëve”.
Teherani iu përgjigj vrasjes së Soleimani duke gjuajtur raketa balistike në bazat e përdorura nga forcat e SHBA në Irak, ndërsa Trump nuk pranoi të hakmerrej ushtarakisht për sulmin.
Nuk pati viktima në mes të forcave amerikane në sulmin me raketa në bazën ushtarake Ain al-Asad në Irakun perëndimor, ku vetëm një ushtar i plagosur pësoi një tronditje.
Khamenei tha se Irani kundërshton “atë që dobëson qeverinë e Irakut”, ndryshe nga Uashingtoni, për të cilin ai tha se nuk dëshiron një “qeveri të pavarur dhe të fortë irakiene, të zgjedhur me votat e njerëzve”.
Vjen ky reagim na lideri suprem në një kohë që vendi i tij, por dhe SHBA, janë gjunjëzuar përballë një armiku të padukshëm – COVID-19. /tesheshi.com/