Në periudhën e dimrit është e vështirë të gjenden lojra argëtuese dhe krijuese për të argëtuar fëmijët brenda në shtëpi me shpresë për t’i larguar nga teknologjia e tepërt. Gatimi sëbashku, pra prindër dhe fëmijë ose e gjithë familja, është një eksperiencë e mrekullueshme dhe një kohë e dobishme.
Zgjidhni sëbashku përbërësit, grumbullojini mbi banak, shpërndani detyrat, përvishni mëngët dhe lidhni rripin e përparses.
Fëmijët këtë skenë e kanë parë gjithmonë nga jashtë po sikur këtë rast ta shikojnë më me imtësi? Praktikisht ju po ndërtoni një projekt sëbashku. Dhe si çdo projekt tjetër edhe përgatitja e një antipaste, sallate apo ëmbëlsire kalon nëpër fazat e një e veta, siç janë ideja, zhvillimi dhe mbi të gjitha bashkëpunimi.
Ashtu si në jetën reale, bashkëpunimi është i rëndësishëm: bashkimi bën fuqinë dhe së bashku arrihet suksesi i vërtetë. Mirëpo, çdo projekt në jetë ka një anë të dobët apo rreziku për dështim: mjafton të harrosh një përbërës të vetëm apo një minutë më shumë a më pak dhe pjekja nuk jep rezultatet e duhura. Po s’ka gjë, e provojmë përsëri!
Nga ana tjetër pritja e ardhjes së brumit, e përgatitjes dhe e pjekjes e bën ushqimin akoma më tërheqës. Dihet, “e shumëpritura është e dëshiruar!” /tesheshi.com/