Deklarata e papritur e Monika Kryemadhit në Opinion në lidhje me mundësinë e largimit nga vendi të familjes së Kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako, edhe pse doli që ishte një “bombë tymuese”, gjithsesi nuk ishte e rastësishme.
Thjesht po të lidhësh ngjarjet që ndoqën rrjedhën në tashmë çështjen “Tahiri”, kupton se kemi të bëjmë me një skenar real. Në ditën kur në Komisionin e Mandateve dhe Rregullores, po përvijohej një “mungesë provash” për akuzën me të cilën kërkohej arrestimi i ish-ministrit të Brendshëm, në outlet-et e medias online u paraqit një lajm që pritet arrestimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Madje disa media shumë të rëndësishme, fiks një javë më parë publikuan një lajm sipas të cilit “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka dhënë dorëheqjen!”.
Lajmi qëndroi gati më shumë se një orë në rrjet, madje edhe anonçua në pjesën e parë të Opinion-it të Fevziut, por nuk kaloi shumë dhe Haki Çako deklaroi që jo vetëm nuk është larguar, por të nesërmen do të udhëtonte për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikërisht kjo pjesë ishte edhe më kyçja e lëvizjeve frenetike që po ndodhnin në Tiranë në ato orë ndërmjet dy palëve.
Pse është e rëndësishme “udhëtimi në SHBA” i Çakos dhe çfarë ka lidhje me ngjarjen?
Ditën kur shpërtheu akuza ndaj Saimir Tahirit, ky i fundit kërkoi një takim me Kryeprokurorin Adriatik Llalla. Sipas gjasave për t’i kërkouar që të hetohej. Por Llalla, përveçse refuzoi takimin, në mënyrë që të mos i jepte një “mbulesë institucionale” një të “dyshuari”, tentoi të bëjë lëvizjen paralele.
Kryeprokurori i kërkoi takim ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Siç duket për ta informuar mbi dosjen italiane, por që në publik do të merrte një fuqi të madhe thjesht forma- pra takimi, i cili do të përkthehej si “përkrahje e SHBA-së” për Llallën në arrestimin e Tahirit.
Donald Lu nuk ja dha këtë kënaqësi Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit, së bashku edhe me një grup prokurorësh(ndër ta edhe treshja e famshme e çështjes “Tahiri”), i kishte shpallur zyrtarisht të padëshirueshëm për të vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, plani i Prokurorisë, përveç Saimir Tahirit, ishte që të arrestonte një zinxhir të madh komandues të Policisë së Shtetit, duke nisur nga kreu i saj. Por këtu ndërhyri fort edhe qeveria, si edhe ndërkombëtarët me anë të lëvizjeve jo-formale.
Pikërisht në kulmin e përplasjes, njoftohet që Haki Çako është ftuar për një vizitë zyrtare në SHBA, çka duket se e rrëzoi menjëherë të gjithë planin. Çako e kreu vizitën dhe mbrëmë është kthyer në Tiranë.
Megjithatë, është ende në letrat e prokurorëve plani për të nisur një operacion që ka si objektiv arrestimin e një kontigjenti drejtuesish të rëndësishëm policie në lidhje me çështjen “Habilaj”, por sipas gjasave, plani do të reduktohet në zyrtarë të nivelit më të ulët.
Siç mësohet, plani i “operacionit blitz” ishte që menjëherë pasi të mblidhej Komisioni i Mandateve dhe Rregullores, pra më 19 tetor, të niseshin në seri fletë-arrestet për krerët e Policisë së Shtetit, çka do të trondiste në themel situatën në vend, duke e kthyer jo vetëm PS-në në tabelë qitjeje për Saimir Tahirin, por edhe policinë; situatë që do të dërrmonte totalisht infrastrukturën qeverisëse dhe që mund të kishte reperkursione politike.
Por asgjë nuk ndodhi dhe kjo merret vesh vetëm dje kur Lulzim Basha është takuar me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, ku i është kërkuar që opozita të mbajë një qëndrim institucional ndaj drejtësisë, që ta lërë të punojë e të mos influencojë politikisht tek hetimet.
Pikërisht, pasi ka dështuar ky plan, Monika Kryemadhi, kreu i LSI-së dhe një nga drejtuesit e opozitës së bashkuar nxorri shashkën e “arratisjes së familjes së Haki Çakos”, që nuk rezultoi e vërtetë.
Kryemadhi, e shqetësuar që LSI nuk u konsiderua faktor në lëvizjet e ndërkombëtarëve, por ishte vetëm Basha që u takua nga ambasadorët, përdori sulmin frontal.
Ndërkohë. kryetari i opozitës nisi fundjavën herët duke pushuar disa ditë në Valbonë, si për të përmalluar mbështetësit e PD-së, se nuk e harron vendlindjen e liderit historic, por edhe të “treshes anti-Tahiri”. Është po ashtu dhe një sinjal i vogël armëpushimi, si për të thënë se jeta nuk është vetëm politikë, dhe madje nga ajo më e shëmtuara e mundshme. /tesheshi.com/