Në 69-vjetorin e nënshkrimit të deklaratës universale të të drejtave të njeriut në OKB, shpallur edhe si ditë ndërkombëtare, politika shqiptare është artikuluar e njëzëshme se ato janë themeli i lirisë dhe paqes në botë. Interpretimet variojnë nga e majta në të djathtë.
Për presidentin Ilir Meta, kjo është një datë që u kujton shteteve dhe qeverive të kthejnë vëmendjen drejt parimeve të këtij dokumenti.
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se të drejtat e njeriut në Shqipëri shkelen nga Edi Rama i cili ka dhunuar të drejtën e votës. Sipas kreut të opozitës, 27 vite pas ardhjes së Demokracisë, shqiptaret ende nuk zgjedhin dot të lirë, nuk gëzojnë dot lirinë e plotë të fjalës nga censura e qeverisë mbi median, nuk përfitojnë dot nga liria e vërtetë e tregut prej monopoleve të pushtetit sepse për Bashën, Edi Rama i ka asgjësuar këto të drejta me shitblerjen e votës, me shantazhe dhe me kërcënime.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e lidh ditën e të drejtave të njeriut, me reformën në Drejtësi, zbatimi i së cilës, sipas tij, do të sjellë prosperitet ekonomik tek shqiptarët. /tesheshi.com/