Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, i cili është pjesë e takimit të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Durrës, ka dhënë një mesazh të qartë lidhur me integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian.
Hahn shprehet se prioritet kyç është krijimi i një zone ekonomike, duke theksuar se integrimi nuk është me një alternative për hyrjen në BE, por është plotësues i dobishëm.
“Prioriteti kyç tani është që të krijohet një zonë ekonomike dhe të nxitet rritja e saj, më shumë punësim për njerëzit. Integrimi nuk është një alternativë për hyrjen në BE të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, por një element komplementar i dobishëm”, shprehet Hahn në mesazhin e tij.
Në takimin jo formal në Durrës veç Kryeministrit Edi Rama, marrin pjesë kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, ai i Maqedonisë Zoran Zaev, i Malit të Zi, Dushko Markoviç, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjes, Denis Zvizdiç, si dhe komisioneri Johannes Hahn si dhe Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore. /tesheshi.com/