Mijëra rusë të mobilizuar për shërbimin ushtarak në Ukrainë janë dërguar në shtëpi pasi u konsideruan të papërshtatshëm për detyrë, goditja e fundit ndaj vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të mobilizuar 300,000 trupa.
Mikhail Degtyarev, guvernatori i rajonit të Khabarovsk në lindjen e largët të Rusisë, tha se në dhjetë ditë disa mijëra meshkuj kishin aplikuar për shërbim, por se shumë prej tyre nuk ishin të kualifikuar.
“Rreth gjysma e tyre u kthyen sepse nuk i plotësonin kriteret për shërbimin ushtarak”, tha Degtyarev në një video-mesazh në Telegram.
Pas thirrjes së parë për mobilizim në Rusi që nga Lufta e Dytë Botërore, e cila u shpall më 21 shtator, pati një valë dezertimi të meshkujve rusë jashtë vendit.
Në ftesë thuhet se personat me përvojë ushtarake do të dërgohen në shërbimin ushtarak në Ukrainë.
Kritikat ndaj luftës së Putinit në Ukrainë po shtohen në Rusi. Përafërsisht 2,000 njerëz u arrestuan në protestat kundër luftës në më shumë se 30 qytete, ndërsa media e pavarur raportoi se disa prej tyre kishin marrë thirrje për mobilizim ndërsa ishin në paraburgim.
Zyrtarët rusë që zakonisht mbështesin presidentin shprehën gjithashtu zemërimin e tyre ndaj mobilizimit. Valentina Matvienko, kryetarja e dhomës së lartë të Asamblesë Federale të Federatës Ruse, tha se gabimet në dërgimin e ftesave janë “absolutisht të papranueshme”.
Përparimi i forcave ukrainase
Ukraina ka marrë nën kontroll qytetin e rëndësishëm strategjik të Limanit në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore, pas tërheqjes së ushtrisë ruse. Kievi thotë se kjo mund të hapë rrugën për një avancim të mëtejshëm që mund t’i ndërpresë trupat ruse nga furnizimet gjatë dimrit.
Kundërofensiva e shpejtë e Ukrainës në shtator vuri në pikëpyetje aftësinë e Rusisë për të kontrolluar Donbasin.
Më 30 shtator, Putin njoftoi aneksimin e katër rajoneve në Ukrainë, duke përfshirë zonën që përfshin Limanin. /tesheshi.com/