Avionë luftarakë kanë goditur në orët e vona të së enjtes një xhami pranë Halepit; një sulm që ka rezultuar me shumë viktima.
Goditja ajrore u krye ndërsa besimtarët po kryenin faljen e mbrëmjes në el-Xhina, një fshat në duart e kryengritësve dhe në jugperëndim të Etaribit, pranë Halepit.
“Sulmet nga avionë të paidentifikuar vunë në shenjë një xhami në provincën e Halepit gjatë faljes së mbrëmjes, duke vrarë 42 njerëz, shumica e të cilëve civilë,” njoftoi drejtuesi i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman.
“Më shumë se 100 persona u plagosën,” ka hedhur dritë më tej mbi ngjarjen ai.
Ndërkohë, sipas Anadolu Agency, numri i viktimave ka shkuar në 58. Në xhami kishte 200 gjer në 300 njerëz në kohën e faljes, mësohet nga i njëjti burim.
Nga Al Jazeera raportohet se forcat amerikane kanë pranuar të kenë kryer sulme ajrore mbi një objektiv ku ka patur një takim të el-Kaedës, por nuk shkojnë më tej.
Një raportuese e Al Jazeera-s nga Gaziantepi në Turqi, Natasha Ghoneim, citohet të ketë thënë se Centcom-i, Komanda Qendrore e SHBA-së, ka pranuar të ketë kryer një sulm ajror mbi Idlib, por se vendndodhja e saktë e sulmit ishte ende në diskutim.
“Ushtria amerikane po thotë se kreu një sulm ajror në provincën e Idlibit, e se ky sulm ajror nuk kishte në objektiv një xhami, por një takim të anëtarëve të el-Kaedës. Ata po thonë se pështjellimi mund të jetë ngaqë takimi u mbajt 15 metra larg një xhamie, por ushtria amerikane deklaron se xhamia është ende në këmbë,” është raportimi i saj.
“Nuk vumë në shenjë një xhami, por ndërtesa që patëm për objektiv është 15 metra larg xhamisë e cila gjendet ende në këmbë,” deklaroi kolonel John J. Thomas, zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA-së.
Fshati ku ndodhi sulmi është nën kontrollin e kryengritësve, por në të nuk gjenden fraksione xhihadiste, sipas AFP-së. /tesheshi.com/