Evropa planifikon të shpenzojë më shumë se 100 miliardë euro për infrastrukturën e gazit “të padobishëm”, e cila do të minojë qëllimet e saj të zhvillimit të gjelbër në luftën kundër ngrohjes globale, sipas njw studimi nga Global Energy Monitor (GEM).
Kjo OJQ ka përpiluar projektet e tanishme dhe ato që Evropa po planifikon të zbatojë, të cilat janë terminalet e importit të gazit, tubacionet e gazit dhe termocentralet e gazit në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, me një shumë prej 117 miliardë eurosh.
Sipas studimit, këto projekte do të rritnin kapacitetin ekzistues të importit me 30 përqind.
Sidoqoftë, GEM thekson se “Bashkimi Evropian tashmë ka një kapacitet importi që është dyfishi i konsumit të tij aktual”.
GEM deklaron se termocentralet ekzistuese evropiane prodhojnë vetëm një e treta e kapacitetit të tyre aktual.
Projektet e gazit nuk i përshtaten objektivit të vendosur nga anëtarët e BE-së me përjashtim të Polonisë në dhjetor, që do të arrijë neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050.
Me një mesatare prej 12 miliardë eurosh investime në vit gjatë dekadës së ardhshme, ato do të tejkalojnë vlerësimet e investimeve “sipas Skenarit të Zhvillimit të Qëndrueshëm” të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë me afro 50 përqind.
“Mbretëria e Bashkuar dhe BE në këtë mënyrë po përgatiten të humbasin dhjetëra miliarda euro duke investuar në infrastrukturë të papajtueshme me qëllimet evropiane” në luftën kundër ngrohjes globale, paralajmëron drejtori i GEM, Ted Nace.
Nëse evropianët dëshirojnë të përmbushin objektivin e tyre të neutralitetit të karbonit deri në vitin 2050, përdorimi i karburantit fosil duhet të bjerë me 29 përqind.
Ekspertët e Panelit të Klimës së Kombeve të Bashkuara (GIEC) vlerësojnë se konsumi i gazit natyror duhet të bjerë me 25 përqind deri në vitin 2030, ose me 75 përqind deri në vitin 2050, nëse bota dëshiron të kufizojë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius, qëllimi më ambicioz i Marrëveshjes së Parisit në lidhje me klimën.
Banka Evropiane e Investimeve (EIB) njoftoi në nëntor se do të pushojë së financuari projekte të reja të karburanteve fosile, përfshirë gazin, nga viti 2022.
Nga të gjitha karburantet fosile, gazi lëshon në atmosferë sasinë më të vogël të dioksidit të karbonit, por shfrytëzimi i tij lëshon metan, i cili është po aq i dëmshëm sa dioksidi i karbonit sepse krijon një efekt serë.
Parlamenti Evropian do të flasë javën tjetër për financimin publik dhe kreditë e EIB për projektet e infrastrukturës energjetike, përfshirë 32 projekte të gazit.
“Autoritetet evropiane po flasin për urgjencën e klimës, ndërsa vazhdojnë të shpenzojnë paratë e taksapaguesve në projekte që do t’i detyrojnë për dekada të përdorin energjinë e karburantit fosil. Gazi nuk është një energji kalimtare,” tha Colin Roche n nga “Friends of the Earth Europe”. /tesheshi.com/