Në kulmin e një debati mbi rolin e vlerën e NATO-s, provokuar nga deklarimet me natyrë kontraverse të presidentit Macron, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike Jens Stoltenberg u intervistua së fundi nga “Le Figaro”. Aty, ai tha se “NATO është jetike për çështjet e sigurisë”.
“Ajo ka dëshmuar mbrojtjen e afro një miliard njerëzve çdo ditë dhe për dekada duke mbajtur kontributin më të madh në mbrojtje”, tha Stoltenberg.
Ai kundërshtoi cilësimin e Macronit për NATO-n si e “vdekur klinikisht”, pa mohuar nevojën e reformave në të.
Nga ana tjetër, i pyetur mbi çështjen tjetër delikate, atë të Turqisë me operacionin e saj ushtarak “Burimi i Paqes”, drejtuar kundër grupimeve militante kurde që i konsideron si “terroriste”, Stoltenberg u shfaq kritik ndaj kritikëve për atë çfarë po bën Turqia.
“Të gjithë aleatët kritikuan operacionin, por askush nuk foli për vendin e Turqisë brenda NATO-s. Turqia, ndërsa lejonte që aleatët të përdorin bazat e tyre, mori pjesë dhe vetë në luftën kundër ISIS. Turqia është i vetmi vend i NATO-s në kufirin me Sirinë dhe Irakun. Mori 3.6 milion refugjatë. Turqia është shumë e rëndësishme për NATO-n. Për ta kuptuar këtë, mjafton të shikoni hartën dhe të ekzaminoni pozicionin gjeo-strategjik të Turqisë”, tha Stoltenberg. /tesheshi.com/