Amerikanët e kanë bërë dhe njëherë të qartë se çfarë do jetë çfarë jo, Asocacioni i Komunave Serbe, duke kërkuar këmbëngulshëm që kjo stukturë të krijohet menjëherë.
Ata dalin garant për të se nuk do jetë një Republika Srpska si në Bosnje, duke theksuar se ata, SHBA, janë përkrahësit kryesore në botë të Kosovës.
Kështu, së fundi është bërë public një tekst sqarues i këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me në fokus pikërisht Asocacionin, kundërshtuar fuqimisht si dje në opozitë e si sot në qeverisje, nga Albin Kurti, pagëzuar ndryshe prej tij si Zajednica.
Teksti sqarues:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë theksuar sërish integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen transatlantike. Në shkurt të vitit 2022, presidenti Biden dhe kancelari Scholz konfirmuan gatishmërinë dhe angazhimin e tyre “për të çuar deri në fund punën e integrimit të Ballkanit Perëndimor… në mënyrë që më në fund të arrihet një Evropë e tërë, e lirë dhe në paqe”.
Ndër synimet tona më të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor është ofrimi i ndihmës në krijimin e kushteve për një marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në javët e fundit, së bashku me përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe BE-së, vizituam Beogradin dhe Prishtinën për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së që dy vendet të normalizojnë marrëdhëniet, t’i japin fund ciklit të krizës dhe të bëjnë përparim vendimtar në integrimin e tyre evropian. Ne besojmë se kjo është një mundësi historike që të dyja palët duhet ta shfrytëzojnë.
Një nga detyrat më të rëndësishme mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Popullsi Shumicë Serbe (A/ZSO). Është diskutuar shumë për të dhe ka ardhur koha të sqarohen gjërat se çfarë është dhe çfarë jo.
Në përgjithësi, do të ishte një strukturë për komunat me popullatë shumicë etnike serbe që do të koordinonte çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëss. Është një mënyrë për të përmirësuar jetën e përditshme të njerëzve, për të krijuar besim në mes serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, për të ofruar lidhje më të madhe ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit dhe për të krijuar një mekanizëm për pjesëmarrje më të plotë të serbëve në jetën qytetare të Kosovës.
Po aq e rëndësishme, zbatimi i Marrëveshjes për A/ZSO është një detyrim ndërkombëtar ligjërisht i paplotësuar që kërkon veprimin e Kosovës, Serbisë dhe BE-së, dhe ka ende përkushtimin e SHBA-së në ofrimin e mbështetjes për dialogun e zhvilluar me mbështetjen e BE-së.
Përmbushja e obligimit të Kosovës për themelimin e A/ZSO-së nuk e cenon kushtetutën e saj dhe as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë apo institucionet demokratike të saj. Ne shprehimisht kundërshtojmë krijimin e çdo entiteti që do të ngjante me Republikën Srpska në Bosnje.
Komuniteti ndërkombëtar nuk kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë që Kosova të ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion/Komunitet dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo të funksionojë në interesin më të mirë të të gjithë banorëve të Kosovës.
Përfaqësuesi Special i BE-së theksoi se ka katërmbëdhjetë marrëveshje të ngjashme brenda Bashkimit Evropian – asnjëra prej të cilave nuk shkel sistemet evropiane të qeverisjes efektive. Në kuadër të dialogut të zhvilluar me mbështetjen e BE-së, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë të përmbushë obligimet e saj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si shteti që e përkrah Kosovën më së shumti në botë, janë të përkushtuara për të ofruar mbështetje për popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore të mos cenohet.
Si do të dukej Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe? Komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët, përmes ekonomive dhe shkëmbimit të praktikave më të mira, mund të punojnë së bashku në mënyrë më efektive për të zgjidhur sfidat e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve publike. Për shembull, komunat mund të zhvillojnë një planprogram në gjuhën serbe për shkollat lokale në disa komuna në vend që të punojnë në vakum dhe të dyfishojnë përpjekjet.
Një bashkëpunim i tillë për çështjen e A/ZSO është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe me parimet e qeverisjes së mirë që aplikohen tashmë në pjesë të tjera të Evropës.
Çfarë nuk duhet të jetë Asociacioni/Bashkësia e komunave me popullatë shumicë serbe? Nuk do të jetë një nivel i ri shtesë i qeverisjes përveç pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ të qeverisë së Kosovës.
Ky parim i rëndësishëm shkon deri në propozimin e Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në ushtrimin kolektiv të autoritetit brenda kornizës së institucioneve dhe strukturave legjitime të Kosovës. Lejimi i disa komunave që të ushtrojnë në mënyrë më efektive kompetencat që tashmë i kanë, do të eliminonte nevojën që qytetarët e Kosovës të kërkojnë shërbime nga strukturat paralele ilegale – gjë që shumë tani e bëjnë – dhe do të siguronte transparencën dhe ligjshmërinë e strukturës së re sipas dhe në përputhje me ligjet e Kosovës. Çdo mbështetje dhe ndihmë që Serbia do t’i ofronte komunitetit serb të Kosovës do të duhej të ishte transparente dhe të kalonte përmes këtyre kanaleve legjitime ose të lejuara zyrtarisht. /tesheshi.com/